Historia e pabesueshme: Qeni u rrit nga të burgosurit politikë dhe u dënua me varje

Sociale

Historia e pabesueshme: Qeni u rrit nga të burgosurit politikë dhe u dënua me varje

Më: 20 tetor 2024 Në ora: 18:40
Beqiri

Pas daljes nga burgu i Burrelit në vitin ’91, Beqiri ishte i vendosur për ta çuar deri në fund atë që kishte nisur: të arrinte ëndrrën e lirisë.

Kjo do të shënonte tentativën e tretë dhe të suksesshme të tij për arrati, pas dy të parave që rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare”  në Tv Klan.

Përmes malit, shkoi në Greqi e nga aty, një shok që punonte marinar në një anije transporti, e ndihmoi që pas 22 ditësh, të mbërrinte në ujërat amerikane. Këtë herë Beqiri nuk u hodh as në detin e Sarandës apo përroin pranë burgut të Qafës së Barit, por në oqean.

Në 2 të natës, u hodh nga vapori pa e ditur se ishte pikërisht në vendin e gjahut të peshkaqenëve e gjallesave ujore. Ia doli të shkonte në Bruklin dhe u lidh me të afërmit e tij në Nju-Jork dhe prej 33 vjetësh jeton në SHBA.

Por koha e diktaturës ka ndikuar që Beqiri të ketë një lidhje të veçantë me dajën e tij, Hysenin. Ai vuajti 15 vite në burgun e Spaçit dhe pasi fitoi lirinë, ka shkruar vepra për atë kohë. Një ndër librat e dajës që Beqiri përmend është “Tarti i Spaçit” që rrëfen historinë e një qeni që u miqësua me të burgosurit dhe u dënua me varje.

Beqir: Tarti i Spaçit ka qenë një kulish i vogël që nëpërmjet vrimave të telave të rrethimit nga ata fshatarët që jetonin aty rreth e rrotull ka hyrë në kampin e të burgosurve politikë. Të burgosurit politikë e kanë marrë, e kanë rritur, e kanë ushqyer me ato pak ushqime dhe ishte miqësuar me ta derisa u rrit, u bë qen i madh e i mirë. Në kohën që është bërë revolta në Spaç, aty u pushkatuan disa të burgosur politikë, u dënuan me dhjetëra, ua bënë dënimin me nga 25 vjet burg dhe bënë terror mbi të burgosurit politikë. Kur policët shkonin të arrestonin të burgosurit ose i torturonin pasi shuan revoltën, qeni u turrej policëve, i hante dhe nuk i linte që të arrestonin të burgosurit  politikë por i mbronte të burgosurit. Pasi mbaruan të gjitha dënimet me vdekje të të burgosurve politikë dhe dënimet e tjera, në fund fare trupi gjykeus i mblodhi të burgosurit politikë dhe tha sot do të kemi gjyqin e Tartit.

Ardit Gjebrea: Gjyq për qenin?

Beqir: Po, gjyq për qenin dhe e kanë dënuar qenin me varje. Një i burgosur politik që ishte aty brenda u ngrit dhe i tha trupit gjykues, “ju lutem, mos e dënoni qenin, në vend të qenit më dënoni mua. Edhe ty do të të vijë radha”, i tha atij.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat