Dy të rinj martohen sot dhe, para së gjithash, duhet të kenë nga një vend pune për të jetuar ose për të mbijetuar. Disa vite më vonë, sjellin në jetë një apo dy fëmijë.
Sapo njëri prej tyre të zvarritet pak, dërgohet në kopsht. Nëna ose babai nxitojnë drejt punës, shpesh të dy. Në disa raste, nëna mbetet në shtëpi, por edhe atëherë, kujdesi për fëmijën mbetet kryesisht si detyrë e kopshtit.
Në orën katër pasdite, nxitojnë për ta marrë, dhe ai kalon kohën me celular në dorë ose me detyra shkolle. Prindërit nuk duan të pengohen! Edhe ata, me celular në dorë! Pastaj vjen darka.
Rreth orës tetë e gjysmë ose nëntë, pra tri apo katër orë më vonë, e dërgojnë në shtrat për të fjetur. Sa kohë kanë pasur prindërit për të jetuar me fëmijën? Një orë? Disa minuta?!
Kjo është jeta sot. Ky është qytetërimi jonë. Fëmijët janë aty, por a rriten me dashuri? Jo! Ata shpesh korruptohen me celular, për të blerë prindërit lirinë dhe vetminë e tyre për celularin. Aty fëmijët mësojnë si të mashtrohet njeriu, jo si të përballet me vështirësi të jetës!
Ata sillen në botë për t’u pasur. Dhe megjithatë, jetojnë të ndarë. Pastaj habitemi kur prindërit mbeten vetëm. Kur fëmija rritet dhe largohet nga shtëpia, prindërit më në fund ndiejnë zbrazëtinë që ka qenë aty gjatë gjithë kohës. Në të vërtetë, ata kanë qenë gjithmonë vetëm. E zgjodhën vetminë apo nuk patën mundësi tjetër? Ndoshta nuk patën, por edhe kur fëmija ishte ende në shtëpi, secili jetonte për vete.
Nuk e kuptuan, sepse prania fizike e fëmijës u dha ndjesinë e përkohshme se nuk ishin vetëm. Por, në fund, realiteti i bën të shohin se sa pak kanë qenë vërtet së bashku. Fare pak ose aspak!
Pastaj ankohemi: “Fëmija nuk po lajmërohet!” – por moslajmërimin ia kemi mësuar ne vetë në shtëpi, duke e izoluar! Duke ia mbyllur gojën. Duke e refuzuar. Aq sa dashuri falim, ndoshta kemi fat dhe aq na kthehet. Ose ndoshta as aq. Ndonjëherë më pak, rrallëherë më shumë.
Edukatën që ia kemi dhënë apo që nuk ia kemi dhënë, e lexojmë nesër në sjelljet e tij. Ose afrinë e munguar dhe dashurinë e munguar! Sepse sot ëndërrojmë kryesisht të kemi, por jo të jemi.
Po e përfundoj këtë vetëreflektim me një urtësi nga Konfuci:
„Ekzistojnë tri mënyra për të mësuar njeriu si të bëhet i mençur:
E para, përmes përsiatjes dhe është mënyra më fisnike.
E dyta, përmes imitimit dhe kjo është metoda më e lehtë.
E treta, përmes përvojës, kjo është metoda më e hidhur!“
Sinteza që del nga kjo përsiatje është kjo:
Kur për fëmijët kujdeset kopshti, nuk është çudi që nesër për prindërit e tyre të kujdeset azili i pleqve!
Pse? Sepse kur fëmijët ishin të vegjël, të dobët dhe të paaftë për të marrë vendime, prindërit vendosën për ta – dhe i dërguan në kopsht. Në "kooperativë" edukimi. Kur prindërit plaken dhe bëhen të pafuqishëm, fëmijët ndjekin të njëjtën logjikë: edhe për prindërit ekziston një “kopsht” – azili. Në "kooperativë" perëndimi. Edhe ata nuk do të kenë kohë!
Jeta nis në kopshtin e fëmijëve dhe shpesh përfundon në "kopshtin" e pleqve. A është kjo një zgjedhje? Jo, është thjesht një cikël që ne vetë e krijojmë! Epoka jonë!