Dhuna ndaj grave, një komplot kriminal shtetëror
Prej shekujsh gratë kanë luftuar për barazi dhe kundra shtypjes, ku edhe pse disa të drejta janë fituar pjesërisht, gratë ende janë të prekura nga format e ndryshme të dhunës. Ky fenomen i rëndë shoqëror ngre pyetje që nuk kanë kufij në kohë dhe hapësirë. Fjala bie, si mund të ketë një diskutim historik mbi teorinë e luftës së drejtë dhe asnjë teori të përdhunimit apo rrahjes së gruas?
Pavarësisht ndikimit që kanë në jetën e grave dhe të shoqërisë, studime apo hulumtime në këtë fushë kanë qenë thjesht pjesë e sfondit, pa u vënë re dhe janë trajtuar në mënyrë të përgjithshme. Sipas Esmeraldës, një grua që ka qenë viktimë e dhunës në familje dhe ka pranuar të flasë në mënyrë anonime për emisionin “Vetting”, vështirësitë dhe dhuna nga partneri e kanë gjenezën te komunikimi.
Sipas një nëne që ka përjetuar prej vitesh dhunën e cila është deklaruar me një emër Esmeralda, (jo të saj) ““Ishte i dhunshëm, se gjërat nuk ndërtohen pa komunikim dhe kur t’i ke përplasje me komunikimin aty tregohet natyra e vërtetë e njeriut. Ai ishte i dhunshëm, gjithmonë kam dashur të ndahem po prap e kam dashur si njeri”.
Sa herë që një grua vritet, një familje shpërbëhet duke sjellë pasoja që godasin shoqërinë njerëzore në të gjitha nivelet.
Dhuna ndaj grave është një nga shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut, është një kërcënim për jetën e grave, vë në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre dhe godet drejtpërdrejt mirëqenien e fëmijëve. Fëmijë të mbetur nëpër jetimore, nën trauma të rënda duhet të kalojnë dhimbjen dhe të përballojnë dramën sociale për të cilën nuk kanë asnjë përgjegjësi.
Sipas anketës së realizuar nga INSTAT në vitin 2018, një në tre gra në Shqipëri ka pohuar se gjatë gjithë jetës së saj ka qenë e dhunuar të paktën një herë nga partneri ose bashkëshorti i saj.
Më tej, Esmeralda shprehet: “Ndiej rrezik të flas sepse gjithë rrugëtimi im ka qenë shumë i vështirë dhe e thashë që shoqëria ka shumë rëndësi. Unë nuk kam zgjedhur të dukem mirë, unë kam zgjedhur të jetoj dhe t’a flas mënyrën se si unë jetoj”.
Por zanafillës së një vdekjeje të paralajmëruar i paraprin dhuna fizike dhe verbale, e cila degjeneron në dhunë ekstreme me pasoja vdekjen. Policia e Shtetit, Prokuroria, Gjykata dhe Bashkitë janë në dijeni të fenomenit, janë në dijeni të rrezikut që i kanoset një gruaje, por kjo gjë tashmë nuk shihet si një problem madhor. Madje mund të themi, që institucionet e shohin si një të dhënë statistikore.
Dipas sociologut Ergys Mërtiri: “Shteti mund të materializojë shumë, por shteti nuk do sepse është oportunist, shteti zgjedh të bëjë gjërat më të lehta që i vijnë për dore, shteti zgjedh t’a ketë mirë me të gjithë, ta ketë mirë me OJQ-të, me ndërkombëtarët dhe jo të adresojë arsyet pse ai ekziston, të adresojë problemet realisht”.
Ajo çfarë e bën më të rëndë situatën nuk është vetëm heshtja e institucioneve shtetërore, por fakti që këto institucione që paguhen dhe ekzistojnë për sigurinë publike, nuk e kanë mbrojtur viktimën kur kjo e fundit ka raportuar rastin në Polici dhe në Prokurori.
Orjola Pampuri deputete në Kuvendin e Shqipërisë: “Ne flasim për raste të tilla vetëm kur ndodhin raste të tilla, kur ka funde fatale. Ka ardhur momenti të veprojmë, dhe veprimi është fuëqizimi ekonomik i gruas”.
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se një numër i lartë institucionesh shtetërore që duhet të marrin masa për mbrojtjen e grave nga dhuna, i kanë mbyllur rastet e denoncimeve duke i lënë hapësira dhunuesit për t’u bërë vrasës. Këto janë konkluzione që dalin nga rekomandimet e Avokatit të Popullit, i cili ka kryqëzuar institucionet për mangësitë, që kanë kushtuar në humbjen e dhjetra grave në 10 vitet e fundit dhe shpërbërjen e familjeve shqiptare.
“Shoqëria Shqiptare, mendoj unë, nuk ka gjetur vetveten për të pasur një tranzicion të butë drejt modernitetit, dhe ky tranzicion agresiv dhe jonormal prodhon situata nga më të ndryshmet”, shprehet për “ Vetting” sociologu Ergys Mërtiri.
Më i tmerrshëm është fakti se gratë ose vajzat e vrara, të cilat i kanë mbijetuar dhunës nga partneri ose bashkëshorti kanë qenë nën ciklin e një dhune të përhershme, ku të gjithë e dinë, komshiu, familjarët, institucionet e sigurisë publike, por të gjithë kanë heshtur, përveç asaj.
Sipas Psikologia Dr.Jorida Rustemi “Një grua e cila ka fëmijë, një numër të madh fëmijësh apo ka një person të sëmurë në familje, apo ka dhe njërëz të tjerë të cilët duhet të përkujdeset është më e vështirë që t’a denoncosh dhunuesin pavarësisht se dhuna mund të jetë e përsëritur.
Sipas avokates Rezarta Agolli: “Unë kam rast këtu që kanë 10 vite që janë në ciklin e dhunës”.