Ramiz Lladrovci, i cili po garon sërish për një mandat të dytë për kryetar të Drenasit, ka pasur një përplasje të fortë akuzash, nga kundërkandidati i tij, dhe kundërshtarët politik.
Madje ata e kanë akuzuar Lladrovcin se para shumë vitesh ka deponuar akuza në hetuesi për Hashim Thaçin, dhe se në këtë mënyrë ai është bërë pjesë e atij grupi që është fajtor pse ish kreu i PDK-së ndodhet në Hagë, i paraburgosur nga gjykata speciale.
Ramiz Lladrovci, i cili po garon sërish për një mandat të dytë për kryetar të Drenasit, ka pasur një përplasje të fortë akuzash, nga kundërkandidati i tij, dhe kundërshtarët politik.
Madje ata e kanë akuzuar Lladrovcin se para shumë vitesh ka deponuar akuza në hetuesi për Hashim Thaçin, dhe se në këtë mënyrë ai është bërë pjesë e atij grupi që është fajtor pse ish kreu i PDK-së ndodhet në Hagë, i paraburgosur nga gjykata speciale.
Gazeta “Bota sot”, ka siguruar kopjet e tri letrave, të Ramiz Lladrvocit drejtuar Hashim Thaçit, i cili për shkak të po të njëjtave akuza, sikurse janë shpërfaq tani, nuk po e pranonte në takim.
Ramizi: Nuk jam spiun
Ramizi mundohet t’ia shpjegojë me shkrim Thaçit, se ai ishte i pafajshëm, se nuk e kishte spiunuar nëpër agjenturat e huaja, dhe se gjithçka ishte e pabazë. Sipas Lladrovcit për të dy do të ishte më mirë, të pajtoheshin dhe të rimiqësoheshin, meqë edhe familja, përfshirë prindërit e Ramizit e kishin njohur dhe e kishin pasur në konak Thaçin.
“Nga disa shokë më është thënë drejtpërdrejtë, nga Lulzim Jashari, Nuredin Lushtaku, Sylejman Selimi e të tjerë, se në takimet me ju, jam akuzuar se, duke bashkëpunuar me të huajt, shërbimet e huaja, po bëj çka është e mundur se ju akuzoj e denoncoj për rastin XXXX. Kjo më është thënë edhe nga Rexhep Selimi, pra ka filluar të bëhet fjalë, pa e ditur unë asnjëherë dhe pa folur me mua”, shkruante Ramiz Lladrovci, në letrën e dytë nga tri dërguarat personalisht Hashim Thaçit, kur këmbëngulte që të hynte në rrethin e Hashim Thaçit.
Siç shihet nga dokumenti, Ramiz Lladrovci kishte informacione për të paktën një rast shkelje ligjore nga Hashim Thaçi, në pjesën e citatit, ku është i fshirë informacioni. Pra, Lladrovci këmbëngulte se ishte i pafajshëm dhe nuk kishte përgjegjësi.
Por, këto letra, me informacionet që e rëndojnë Thaçin kishin rënë në duart e UNMIK-ut, jo shumë kohë pas shkrimit të tyre, si duket.
UNMIK-u, e ka përmbyllur misionin e tij në vitin 2008, me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, por një zyre e tij vazhdon të jetë e stacionuar në veri të Kosovës.
Ramizi si duket këmbëngulë për miqësi me Thaçin, pasi pas përhapjes së fjalëve se ai bashkëpunonte me agjenci të huaja inteligjente, mund të ishte viktimë, pra të eliminohej fizikisht, dhe vazhdonte ta mohonte këtë në mënyrë kategorike në letrat e tij.
“Pra, nga e keni ju këtë informacion, sepse ky informacion duke u përhapur, mund të sjellë pasoja të dyanshme; për ju të besohet se kështu ka qenë, pra se ka diçka të vërtetë, dhe për mua se flas për shokët, spiunoj, ose shpifi, çka mund të jetë fillesë edhe për eliminimin tim….”, shkruante Ramizi në letrën e dytë me datë 18 gusht, me tone shqetësuese për fatin e tij, dhe me fjalorin e theksuar, të një njeriu që i takonte grupeve ilegale komuniste, që si në Shqipëri të njohurve i referoheshin me fjalën “shoku” apo ‘shokët’ (e partisë) për grupin.
Pse kishte frikë Ramizi se mund të eliminohej fizikisht, dhe pse e shihte shpëtimin te Hashim Thaçi?
A e implikon kjo frikë edhe më shumë Thaçin, në një terren të rrezikshëm, a i jep përkatësinë e të dyshuarit për vrasje apo organizim të tyre, për çka edhe sot dyshohet në Hagë.
Ramizi më tej ankohej se po akuzohej pa të drejtë se ai kishte zhvatur fonde, se kishte krijuar pasuri, dhe se këtë vërejtje për të e kishte edhe Hashim Thaçi.
Ramizi deklaron se edhe ka qenë i kërcënuar me gjithë familjen, gjëra këto që ai mbase edhe mund t’i ketë raportuar në polici, dhe si pasojë e tyre, ai po akuzohej.
“Kohët e fundit po përhapen edhe fjalë të tjera, kam pasë kërcënime nga grupacione për ndëshkim si familje, dhe këto grupacione, nuk janë të panjohura për shokë që janë afër rrethit tuaj, ose të paktën kështu flitet”.
Pra, në këtë pasus Ramizi, e akuzon në mënyrë indirekte Thaçin, se kërcënimet po i vinin nga një rreth i afërt me të, apo që nuk ishte i panjohur për të.
Ramizi në stilin e apologjive apo kërkim faljeve të të dënuarve nga Enver Hoxha, në stilin e besnikëve të partisë, merrë përsipër një pjesë të fajit, duke thënë se largimi i tij nga TMK-ja mund të jetë për shkak se mund të kishte pasur njerëz më të mirë e më të zot aty, se sa ai.
-“Unë kam qenë në TMK dhe kur kam hyrë në TMK i keni thënë Agim çekut se përse jam aktivizuar unë aty (mos të themë se keni sharë). Besoj se është paradoks, mirëpo edhe sot megjithëse kemi ndejtë bashkë disa herë, nuk e kemi folë këtë gjë. Mos ndoshta ata që ishin në TMK ishin burra më të mirë se unë. Sidoqoftë qëndrimi im në TMK, për aq sa ishte e mundur i shërbej Abazit e shokëve të tij”, deklaronte Lladrovci. Në bazë të nofkës “Abazi”, duhet të jetë Ali Ahmeti, pasi edhe ai ka qenë një kohë në TMK, deri në luftën në Maqedoni.
Paralajmërimi
Që letrën e parë të 19 korrikut 2003, Ramiz Lladrovci paralajmëron shkuarjen në AAK te Ramushi, për të cilën beson se është në dijeni Thaçi, dhe se lë të nënkuptohet se nëse nuk ndihmohet, meqë ai nuk kërkon të bëhet shef, por thjesht të zë vend diku, ai do të shkonte në parti tjetër. Po ashtu, Ramizi tregon se i ka mbetur hatri, se pse Hashimi nuk e ka ndihmuar, që ai të mos mbetej për herë të dytë në listën e zezë amerikane, të vendosur nga presidenti Bush, i riu.
Në letrën e dytë po ashtu vazhdonte të lutej për takim, duke i bërë ftesë Thaçit, që t’i harrojë mosmarrëveshjet që kanë pasur, sepse sipas Ramizit, ato kanë ndodhur ‘për punë të mëdha’.
Ndërsa, në letrën e tretë, që mban datën 17 shtator 2003, Ramizi shkruan paksa i nevrikosur dhe se e paralajmëron se mund të bëjë mbase gjëra që nuk mund t’i pëlqejnë Thaçit, i cili i kishte premtuar dy herë takim, por kjo gjë nuk kishte ndodhur.
“Unë nuk mund të presë pafundësisht, kur për më tepër fjalët po vazhdojnë të shtohen. Të premtoj se është hera e tretë dhe e fundit që të drejtohem me ftesën për takim”, e mbyllë letrën Ramiz Lladrovci.