Një nga vrasjet politike më së paku të përmendura, por që jep mundësitë më të mëdha për hetim, e që ka nxitur më së shumti ndoshta vrasje, është ai i Halil Dreshajt.
Një nga vrasjet politike më së paku të përmendura, por që jep mundësitë më të mëdha për hetim, e që ka nxitur më së shumti ndoshta vrasje, është ai i Halil Dreshajt.
Ai ishte urdhëruar ta vriste deputetin e LDK-së Smajl Hajdarin, por kur refuzoi ta kryente misionin kriminal, atëherë u nxor urdhri i ri, për ekzekutimin e vetë Dreshajt.
Njeriu që besohet se mori pjesë në këtë krim makabër është anëtari i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut, Florim Ejupi.
Por, kush janë shefat e Florim Ejupit, që e shtyn drejt ekzekutimit të Halil Dreshajt?
Sipas asaj që kemi mësuar gjatë kohës, Ejupi ka kryer vrasje edhe në emër të ideologjisë edhe me pagesë. Grupi të cilit i takonte Ejupi, është i përfshirë thuaja në të gjitha vrasjet politike në Kosovë. Këtë e kanë dëshmuar edhe dokumentet e UNMIK-ut edhe të EULEX-it.
Por, kush qëndronte pas vrasjes nuk janë enigma më. Një seri vrasjesh që kanë ndodhur në vitet 1998-2000, kohë për të cilën është e mandatuar gjykata speciale, që ti gjykojë, janë vrasje që janë ekzekutuar nga grupi i Florim Ejupit.
A duhet të përcaktohet si grup i Florim Ejupit, Qerim Kelmendit apo Agron Sylejmanit? Këtë duhet ta definojë drejtësia, sepse që të tre kanë qenë si drejtues të grupit, në kuptimin e kompetencave.
Pjesë e këtij grupi ishte edhe Osman Kelmendi, vëllai i Ibrahim Kelmendit, i cili ka marrë pjesë edhe në rastin e kidnapimit të një fëmije të familjes Dreshaj.
Ky grup ka punuar, përkatësisht dyshohet se ka kryer ekzekutime edhe për grupin e Ramush Haradinajt.
A ishte Hashim Thaçi, Kadri Veseli apo Ibrahim Kelmendi udhëheqës i këtij grupi?
Florim Ejupi thuajse dyshohet për të gjitha vrasjet politike në Kosovë, ai kishte relacione familjare me Agron Sylejmanin, një vrasës-përgjegjës për shumë krime politike.
Agron Sylejmani është vrarë nga policia e UNMIK-ut në vitin 2004, ku kanë mbetur të vrarë edhe dy policë në atë përleshje me grupin e tij. Naim Kadriu ka vdekur në një aksident në Podujevë, ndërsa, për Avni Fetën nuk dihet se a është i vdekur apo se ku gjendet.
Këta dyshohet se kanë marrë pjesë edhe në vrasjen e Bekim Kastratit, gazetarit të “Bota sot”, dhe Besim Dajakut ish truprojës së presidentit Rugova, të vrarë 20 vjet më parë.
Sa herë mund të jetë marrë në pyetje Florim Ejupi, dhe a është dëshmitar i gjykatës speciale?
Është e ditur se Florim Ejupi është intervistuar të paktën një herë nga gjykata speciale.
Çështja është nëse ai do ti nxjerrë dëshmitë për shefat e tij, që e urdhëruan të kryejë vrasje politike. Por, edhe një kriminel si ai ka rastin për një lloj pendese, të rrëfehet para gjykatës speciale, pavarësisht se drejtësia nuk do të duhej të tregonte mëshirë për të.
Sipas informacioneve që i ka dhënë herë pas here Sali Mustafa, si shef i SHIK-ut për Prishtinë, Florim Ejupi qëndronte prapa ekzekutimit të sulmit të autobusit me civil serbë. Të dhënat balistike tregojnë se ai ka qenë pjesëmarrës, dhe qe dënuar atë kohë me dënim rekord.
Të vënë nën presion liderët Thaçi, Veseli etj, nga Florimi Ejupi, se ai do t’i dekonspironte për krimet e urdhëruara, për sulmin në fjalë dhe urdhërvrasje të tjera, ata kanë ndikuar tek Stiven Shuk (më vonë ish këshilltar i Haradinajt dhe anëtar i AAK-ës), që të lirohej nga burgu, i dënuar me 40 vjet heqje lirie.
Pyetja është nëse Florim Ejupi më shumë ka kryer vrasje për klanin e Thaçit apo për klanin Haradinaj! Përgjigjen e saktë për vrasjet e kryera deri në vitin 2000 do t’i jap gjykata speciale.
Po çfarë statuti ka në Gjermani Florim Ejupi, pasi autoritetet gjermane kanë njohuri të sakta për veprimtarinë e tij në Kosovë.
Në të dhënat që ia ka deklaruar shërbimit të azilit në Gjermani, për ta fituar statusin e azilit, duket se ka të dhëna që mund t’i shërbejnë speciales për ta ndihmuar hetimin e tij, që do të çonte në zbardhjen e një zinxhiri vrasjesh.
Për ta fituar azilin politik i është dashur të bëjë deklarime të atilla, që sipas të dhënave që ka gazeta, përmblidhen në fajësim të figurave të larta politike, të cilat ia kanë mundësuar strehimin pas arratisjes në Gjermani.
Kush ka dorë në vrasjen e Halil Dreshajt të UÇK-së, një nga rastet e para të vrasjeve politike në Kosovë?
Kush janë porositësit apo të dyshuar për organizimin dhe miratimin e vrasjes së Halil Dreshajt? Të dyshuar janë Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Ibrahim Kelmendi, por këtë çështje duhet ta zbardhë përfundimisht gjykata speciale. Por, para saj këtë mund ta argumentojë edhe Florim Ejupi. Ai mund ta zbardhë se cilët janë urdhërvrasës edhe të Smajl Hajdarajt, ish-deputetit të LDK-së.
Dreshaj u vra në shtëpinë e tij, në një sulm të armatosur, që cak e kishte njeriun, që ishte urdhëruar të kryente disa vrasje. Sipas dëshmive ai e kishte një listë prej 26 vetash, kryesisht luftëtarë, veprimtarë dhe zyrtarë të LDK-së.
Luftëtari nuk u mbijetoi plagëve, ndërsa babai i tij i plagosur, mbijetoi.
Halil Dreshaj ishe luftëtar i UÇK-së, dhe gjatë luftës ishte zëvendës i Smajl Hajdarajt dhe shef në sektorin për informim në rajonin e Rugovës, që njihet si Brigada 136 e Rugovës.
“S. e kishte kontaktuar personalisht Halil Dreshajn për t’ia dhënë një letër me emrat e 26 personave që duheshin ekzekutuar, ndër ta ishte edhe komandanti i tij Smajl Hajdaraj. Halilit ia kishin dhënë edhe një armë që të kryente këto vrasje”, thotë burimi ynë.
“Dreshaj pasi e merr këtë urdhër dhe me emra të shkruar në letër ai shkon te komandanti i tij Smajl Hajdaraj dhe ia tregon edhe letrën edhe i pohon se nga kush po i vinte urdhri dhe i thotë “Smajl, duhet të ruhesh””, thotë burimi.
I pyetur nga Smajl Hajdaraj, se kush e ka dërguar të kryente ekzekutimin, Dreshaj thotë, z.S. me urdhër të komandantit të Zonës Operative.
Sipas burimeve, Smajl Hajdaraj e falënderon për këtë paralajmërim. Pasi që Halil Dreshaj nuk e kryen këtë mision një ditë qershori njerëz në uniforma të UÇK-së i trokasin në derë dhe e sulmojnë me armë automatike, në shtëpi.
Halili plagoset rëndë dhe vdes në rrugën për në spital e në sulm mbetet i plagosur edhe babai i tij Ahmet Dreshaj, i cili i shpëtoi vdekjes.
Sipas dëshmisë së babait të Halilit, në sulmin vrastar kishin marrë pjesë 4 veta me uniforma të zeza të UÇK-së dhe me maska, të cilët kishin arritur ta plagosin edhe Ahmetin rëndë, por ai u mbijetoi plagëve.