Përtej kësaj bote: Mes shkencës dhe besimit

Speciale

Përtej kësaj bote: Mes shkencës dhe besimit

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 19:45
Foto ilustrim

Mbretëria e qiejve dhe mundësia për të gjithë që të ringriheshin me trupin e tyre në ditën e gjykimit, ka qenë më vonë çelësi i suksesit i fesë së krishterë. Shtynte realizimin e njeriut pas një fundi të beftë të botës, me ardhjen e mbretërisë së qiejve. Por bota e rregulluar nga perandoria romake ishte solide dhe u bë kaq popullore ideja e një parajse, ku në pritje të udhëtimit final, mund të prisje me shpirtin

Homo sapiens-i ka një karakteristikë themelore që e dallon nga të gjithë qeniet e tjera të gjalla: është e vetmja qënie që e di se jeta e vet ka një fund. Dhe që bën pyetje për vdekjen. Fundi i rrugës, fundi i unit? Apo fillimi i një jete të re në një formë të të përtejmes? Përgjigjet ndryshojnë sipas kulturës që i përkasim dhe sipas bindjeve personale. Dhe të gjitha kanë evoluar me kalimin e kohës. Ideja e një rimishërimi ka qenë e para që është shfaqur. U zhvillua afro 10 mijë vjet më parë me përhapjen e bujqësisë: duke vëzhguar bimët që rriteshin çdo stinë në mënyrë identike, u mendua se edhe për njerezit duhej të kishte një rilindje.

Në tempullin e nëndheshëm të Hal Saflieni në Maltë, afro 6 mijë vjet më parë, mijëra të vdekur u varrosën në formën e fetusit me shpresën që kështu do të ishte e mundur që të rilindnin. Po që përpara kësaj, në varrezat e periudhës së paleolitit dhe neolitit në Europë dhe në Azi, të vdekurit mbështilleshin me okër të kuqe (ngjyrë e gjakut dhe e jetës) dhe aty mbuloheshin me dhe. Mendohej për vazhdimësinë e ekzistencës në një botë të shpirtërave, ku mbijetonin për një farë kohe të paktën paraardhësit më me ndikim.

Skeptikë të lashtë

Jo gjithmonë njeriu ka imagjinuar një botë të përtejme të qetë dhe të bekuar. Sumerët, për shembull, kishin një ide të errët. Aq sa, në poemën e parë epike të njerëzimit, mbreti i tyre legjendar, Gilgameshi, luftonte me të gjithë forcat e tij, më kot, për të risjellë në jetë mikun e tij Enkidu. Dhe ish vënë në kërkim të bimës së përjetësisë, e cila i shpëtonte në momentin e fundit, pasi ia rrëmbente një gjarpër uji. Vetëm në fund të këtij Epi të Gilgameshit sqarohej ajo që vërtetë ka rëndësi: përvoja e jetës, që bëhet e pavdekshme pikërisht përmes librit që rrëfen. Pra sumerët i jepnin më shumë rëndësi lavdisë që sigurohej falë letërsisë, se sa botës së përtejme si dimension për të vazhduar ekzistencën. I paraprinin kështu “memë”-ve të darvinistit Richard Dawkins: sipas të cilit nëse gjenet, që i kalojnë pasardhësve, janë vazhdimësia e vërtetë e një individi pas vdekjes, edhe memët (domethënë njësitë tona të mendimit: që nga rregullat e jetës deri tek recetat e kuzhinës) vazhdojnë dhe përhapen, edhe më me shpejtësi, duke kaluar përmes miqve, dijeve, teksteve të shkruar, veprave të artit dhe shembujve të jetës jo vetëm tek bijtë dhe nipërit, por të paktën potencialisht, tek të gjithë. Pershtatur ne shqip nga bota.al

Vende ekskluzivë

Për egjiptianët, mbretëria e të vdekurve ishte një dimension i rëndësishëm ku mund të ripërjetoheshin kënaqësitë e jetës tokësore. Por në Mbretërinë e lashtë kjo botë ishte vetëm për faraonët. Në Mbretërinë e mesme u përhap tek fisnikët. Dhe vetëm me revolucionet socialë të Mbretërisë së Re u bë e disponueshme për të gjithë. Por edhe në Egjipt nuk mungonin skeptikët për botën e përtejme. Siç tregon kënga e famshme e Arpistit: “Askush nuk vjen prej andej, që të na thotë gjendjen e tij… ndiq zemrën sa kohë je gjallë!”

Në Kinën e lashtë besohej në përjetësinë, në qiell, por vetëm për perandorët. Në Greqinë arkaike, Hadi ishte një vend i errët ku vërtiteshin pa dallim, si fantazma, të këqinjtë dhe të mirët, të frikshmit dhe heronjtë. Luftëtarëve u kushtoheshin fushat e romës antike. Sipas John Bowker, autor i librit “Vdekja në fetë e ndryshme” këto jo gjithmonë premtojnë një botë të përtejme, shperblime apo ndëshkime pas vdekjes. Hyjni si ato babilonase, greke, romake e madje edhe ato azteke sugjeronin vetëm sjellje për të jetuar më mirë në Tokë. Në hinduizmin më të lashtë, përfaqësuar nga Veda (përmbledhje tekstesh të shenjtë indianë) nuk ka gjurmë të parajsave apo ferreve. Megjithatë, parajsa të drejtuara nga hyjni të caktuara që prisnin rimishërimin e shpirtit nisën të konceptohen më vonë në fenë hinduiste.

Shpagim

Edhe monoteistët hebrenj, për pjesën më të madhe të historisë së tyre, nuk mendonin për një botë të përtejme. “Perëndia kish bërë paktin e tij me Abrahamin për të siguruar vazhdimësinë dhe një tokë të premtuar për popullin hebraik”, shpjegon Bowker. “E ndëshkonte dhe shpagonte në jetë, jo në botën e përtejme, që shihej si një vend hijesh”. Hebrenjtë nisën të mendojnë diçka të ngjashme me parajsën vetëm në shekullin II para Krishtit: “Makabejtë kishin refuzuar të luftonin të shtunën dhe ata u masakruan nga armiku. Lindi kështu ideja e një shpagimi për ata martirë: qëndrimi me Perëndinë në një tjetër jetë. Një shpagim që më vonë u shtri për të gjithë “njerëzit e drejtë”.

Mbretëria e qiejve dhe mundësia për të gjithë që të ringriheshin me trupin e tyre në ditën e gjykimit, ka qenë më vonë çelësi i suksesit i fesë së krishterë. Shtynte realizimin e njeriut pas një fundi të beftë të botës me ardhjen e mbretërisë së qiejve. Por bota e rregulluar nga perandoria romake ishte solide dhe u bë kaq popullore ideja e një parajse, ku në pritje të udhëtimit final, mund të prisje me shpirtin. Feja e mëvonshme myslimane e imagjinonte në kontrast me kushtet mjedisore ndonjëherë të vështira, si shkretëtira ku jetonin besimtarët e saj: një kopësht me ujë të ftohtë, qumësht dhe mjaltë, palma, lule, kafshë të bukura dhe shumë vajza për t’u martuar. / Future 

commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat