Arrestimi i intelektuales disidente, si u persekutua Musine Kokalari! Pas gjashtë muajsh hetuesie, e nxorën në gjyq! Aktakuza e prokuror Nevzat Haznedari

Speciale

Arrestimi i intelektuales disidente, si u persekutua Musine Kokalari! Pas gjashtë muajsh hetuesie, e nxorën në gjyq! Aktakuza e prokuror Nevzat Haznedari

Më: 29 janar 2025 Në ora: 22:34
Musine Kokalari

Më 23 janar të vitit 1946 u arrestua një prej intelektualeve më në zë të Shqipërisë, Musine Kokalari. Pas kësaj date nisi një kalvar i gjatë vuajtjesh për këtë intelektuale, e cila konsiderohet edhe si disidentja e parë e regjimit komunist. Musine Kokalari lindi në 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë. Tre vite pas lindjes, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri.

Musineja mori mësimet e para në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë. Ajo spikati që në moshë të hershme për veprimtarinë e saj politike dhe letrare. Në vitin 1939, ende student, botoi librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë”. Në vitin 1943, së bashku me një grup intelektualësh, themeloi Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Vendosja e regjimit komunist do të sillte ndryshime rrënjësore në jetën e Musinesë. Në nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit e saj, Mumtas e Vesel Kokalari. Pas arrestimit të saj në 1946-ën, procesi gjyqësor e dënoi me 20 vite heqje lirie. Vuajti 16 vite në burg, dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe plotësisht e izoluar nga shoqëria. Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit.

Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983. Më 1991 familjarët e saj e zhvarrosën, tani e ka varrin në Shish-Tufinë. Musine Kokalari ndërroi jetë në internim më 13 gusht 1983 nga një sëmundje e rëndë. Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet e sistemit demokratik. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”.

Persekutimi

Enver Hoxha, i cili e kishte kushërirë të dytë Musinenë, nuk e kurseu jo vetëm atë, por tërë fisin e Kokalarëve. Më 12 nëntor 1944 terrori i kuq me urdhër të tij, pushkatoi pa gjyq 11 personalitete të shquara në Tiranë, ndërmjet tyre vëllezërit e saj, Muntaz Kokalari dhe Vesim Kokalari. Hamiti ishte i sëmurë me tifo, ndaj shpëtoi. Po ashtu u pushkatuan edhe Syrja Kokalari dhe Emin Kokalari; Hivziu, vdiq në burg dhe Isai në internim. Musineja u burgos dhe u internua. Bijtë dhe nipërit e tyre u hodhën rrugëve, u internuan dhe u persekutuan pa fund.

Arsyen e këtij persekutimi familjar na i rrëfen në një letër vëllai i Musinesë, Muntaz Kokalari, i cili u pushkatua më 9 nëntor, tri ditë pasi shkroi këtë letër: “Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur. Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale. Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim etj. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë…”

Letra

E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke qenë themeluese e Partisë Social-Demokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit. Pak përpara arrestit i dërgoi një letër Aleatëve, të cilët ende ishin në Tiranë. Në letrën e saj kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes.

Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim: “Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”. Pas këtyre fjalëve Musine Kokalari u dënua me 20 vjet burg. Ajo kaloi 15 vjet si në burgun e Burrelit. Sapo u lirua, u internua në Rrëshen dhe u detyrua të punonte si pastruese e rrugëve të qytetit. Në këtë moment ajo i shkroi një letër me 4 faqe Enver Hoxhës, në të cilën i kërkoi të mos internohej, sepse e kishte përfunduar dënimin e vet. Përmes kësaj letre të shkruar nga vetë Musineja, ajo lutet që të shqyrtohet internimi i saj, pasi siç shkruan, për veprimet e dikurshme ka paguar 15 vitet burg, por për të internimi tani duket i pakuptueshëm. Përveç kësaj, Kokalari i kërkon Hoxhës që t’i kthehen dorëshkrimet folklorike që kishte mbledhur.

Mes të tjerave në letër ajo ka shkruar: “Kur lexova fjalinë tuaj se pas dënimit të çdokujt nuk do të kishte më as ndjekje, as pengesa, burgun e mora si një borxh që duhej larë. Vetë veprova, vetë e pagova. Por dënimi i dytë nuk është trajtim i drejtë. Prandaj, ju lutem, shqyrtojeni edhe një herë, sepse, nëse ka arsye tjetër, unë jam gati të përballem”. “Në qoftë se unë si e internuar, nuk kam të drejtë të merrem publikisht me lëvizjen e librave, besoj se nuk më ndalohet që orët e lira të jetës sime private të merrem me metariale folklorike. Përse vallë të mos m’i jepni? Përse të bëhet ky persekutim?”. Pas kësaj letre Enver Hoxha nuk denjoi t’i kthente përgjigje. Diktatori mësohet të jetë shprehur: Akoma gjallë qenka kjo? – Musine Kokalari vdiq në Rrëshen, në internim, 21 vjet pas dërgimit të kësaj letre dhe 2 vjet para se të vdiste diktatori Hoxha. Ajo vdiq e izoluar dhe e përndjekur, duke shënuar një rast nga më të rëndët të përndjekjes së intelektualëve dhe një femre gjatë regjimit komunist.

Hetuesit 

Me persekutimin e Musinesë u morën tre ministrat e brendshëm: Koçi Xoxe, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu dhe hetuesit e ish-Sigurimit të Shtetit: Nesti Kerenxhi, Nevzat Haznedari, Gjon Banushi etj. Sipas historianit të njohur Uran Butka gjatë hetuesisë ndaj saj u përdorën presione e tortura psikologjike e fizike të lemerishme. Sipas Drita Kosturit, shoqes së saj të burgut, “Xhelatët tërboheshin, nuk e duronin qëndresën shpirtërore të Musinesë, e thërrisnin, e merrnin në pyetje, e provokonin, po ajo e qetë, e papërfillshme, krenare e me kulturë – nuk u jepte kurrë shkas për asgjë”.

Pas gjashtë muajsh hetuesie, e nxorën në gjyq. Aktakuza e prokuror Nevzat Haznedarit, përmblidhej në këto pika: “Ka bashkëpunuar me krerët e Ballit e të Legalitetit. Mbas çlirimit ka sabotuar pushtetin popullor. Ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e fshehta që ka bërë grupi Social Demokrat, grupi i rezistencës dhe ai monarkist, duke zgjedhur një Komitet të përbashkët. Ka përgatitur nota e programe për Aleatët, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre”. Shtoi këtyre akuzave të prokuror Haznedarit edhe të gjykatësit Frederik Nosi për terrorizëm: “Kjo grua zhvillon aktivitet të gjerë kriminal terrorist”. Ironi e fatit!

Ata që ushtronin vetë terrorizëm shtetëror, duke shkelur edhe ligjet e kohës, ata e akuzuan Musinenë për terrorizëm! Ajo u dënua me 23 vjet burg, me humbjen e të drejtave civile, si dhe konfiskimin e pasurisë. Provoi burgjet e llahtarshme komuniste të Tiranës, Shkodrës, Vlorës dhe Burrelit, duke u bërë simbol i qëndresës. U lirua nga burgu më 1961 pas 16 vjet torturash dhe u internua përjetësisht në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi e ndërtim si punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga agjentët pafund të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet Shkëndia, Zampuda, Brisku, Kalaja, Çajupi, Bamja e pjekur, Referati, Besniku, Lisi, Munella, Besa, Aparati, Pëllumbi etj. Ata njoftonin për çdo lëvizje e bisedë të saj, edhe për takimet e saj me Platonin, Bilal Xhaferrin, Ismail Gjetën, Sulë Harunin etj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat