“Mbi 100 të pushkatuar…”, si u shtyp kryengritja antikomuniste në Malësi të Madhe, më 25 janar 1945! Fati tragjik i krerëve të lëvizjes

Speciale

“Mbi 100 të pushkatuar…”, si u shtyp kryengritja antikomuniste në Malësi të Madhe, më 25 janar 1945! Fati tragjik i krerëve të lëvizjes

Nga: Besim Ndregjoni Më: 29 janar 2025 Në ora: 22:37
Ilustrim

Data 25 janar 1945 është një ditë e shënuar dhe historike për Shqipërinë, një ngjarje që kujton guximin dhe sakrificën e malësorëve që nuk pranuan regjimin komunist dhe i treguan Europës se shqiptarët nuk pranojnë sllavizmin dhe stalinizmin enverist. Nuk kishte vetëm 2 muaj që Shqipëria ishte nën pushtimin e diktatorit stalinist Enver Hoxha, me mbështetje nga regjimi serb, malësorët u ngritën për të kundërshtuar këtë regjim gjakatar dhe represionin që ushtronin komunistët shqiptarë! Këta burra dhe gra trimëresha nuk ishin të frikësuar përballë masakrave të sunduesve enveristë, por të vendosur të mbronin nga humbja identitetin dhe të drejtat e tyre.

Më 25 janar 1945, udhëheqësit e shquar si Major Llesh Marashi nga Shkreli, Mulë Delia Bajraktari nga Hoti dhe heroiku i mbrojtjes së kufijve Preng Cali i Kelmendit, filluan lëvizjen e parë antikomuniste në Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Ky ishte një akt që tregoi se populli shqiptar, ndonëse i përballur me represionin e tmerrshëm të regjimit komunist, do të kundërshtonte çdo tentativë për të prishur traditat dhe identitetin kombëtar. Ata qëndruan të palëkundur, duke mbrojtur besën dhe nderin, dhe duke pasur besim në Zot dhe komb.

Sot, pas 80 vitesh, pasardhësit e kryengritjes antikomuniste të ndihen krenarë për veprën e kryer nga ata burra dhe gra të Malësisë së Madhe. Ata janë shembuj të pavdekshëm të qëndresës dhe sakrificës për liri dhe dinjitet kombëtar. Po të kishin pasur mbështetjen dhe vëmendjen e ndërkombëtareve ndoshta historia do të kishte ndjekur një rrugë tjetër, dhe fati i Shqipërisë do të ishte ndryshe.

Mbas kësaj kryengritje Malësia e Madhe u masakrua nga diktatura komuniste dhe vuajti për më shumë se katër dekada, vetëm sepse kërkuat liri dhe drejtësi. Lëvizja antikomuniste e Malësisë Madhe ishte e para në Europën pas Luftës së dytë Botërore që i tha “Jo” diktaturës dhe terrorit sllavokomunist. Ky është një akt që do të mbetet gjithmonë në histori. Bilanci i kësaj rezistence është tragjik dhe shkatërrues: mbi 100 të pushkatuar, mbi 200 të burgosur që kaluan vite të tëra në kampet e internimit dhe mbi 200 familje të internuara. Ky është çmimi i lirisë që pagoi ky popull fisnik.

Ne e nderojmë këtë ditë, sepse ajo është një dëshmi e lavdisë së kombit shqiptar dhe e qëndresës ndaj çdo pushtuesi, pavarësisht regjimit dhe ideologjisë që mund të imponoheshin.

Ne sakrifikuam për të siguruar lirinë e këtij kombi, por pas një gjysmë shekulli, pati një tradhti të dytë nga ata që zgjodhën ideologjinë e komunizmit dhe jo demokracinë. Shqipëria, pas 1990-s, u bë i vetmi vend në Europë që e harroi pasojën e komunizmit dhe nuk i dha drejtësi viktimave të tij. Ne u tradhtuam nga një klasë politike që jo vetëm nuk e dënoi regjimin komunist, por edhe e mbajti atë në heshtje dhe e përdori për interesat e saj.

Sot, pas 35 vitesh, më shumë se 6000 antikomunistë nuk kanë një varr, sepse politikës shqiptare i mungon vullneti për të njohur dhe dënuar këtë krim. Mbi 36,000 të burgosur politikë, që dhanë jetën dhe vuajtën për lirinë e Shqipërisë, janë harruar, ndërsa trashëgimtarët e diktaturës janë të pushtetuar dhe vazhdojnë të japin leksione demokracie, pa pasur asnjë ndjeshmëri për viktimat e sistemit që ata mbështetën. Për më tepër, mbi 100,000 familje shqiptare që u dëbuan dhe u internuan, nuk gjetën mbështetje, dhe shumë prej tyre janë larguar nga atdheu, pa mundur të integrohen në shoqërinë shqiptare. Ky është një dështim i rëndë i shtetit shqiptar dhe një shenjë e pasigurisë që vazhdon të mbizotërojë Shqipërinë. Shteti dje ishte autori i krimeve, sot shteti mbron xhelatët që i shkaktuan këto krime. 25 janari 1945 është një ditë historike për qëndresën antikomuniste, është dita kur regjimit të Enver Hoxhës i thamë “jo”, dhe vazhduam për 45 vite të i rezistojmë krimeve makabre dhe të ngjashme me krimet e nazistëve ndaj hebrenjve. Hebrenjtë kanë ditën e kujtesës 27 janarin si ditë kujtese, përse ne shqiptarët të mos kemi 25 janarin si ditë kujtese ndaj rezistencës antikomuniste.

Hungarezët krenohen me revolucionin e tyre të 1956, por ne që e nisëm revolucionin 11 vite para tyre, a s’kemi të drejtë të krenohemi si mbrojtës të fjalës së lirë dhe të identitetit kombëtar! Ne, antikomunistët, kërkojmë që krimet e komunizmit të dënohen, dhe të bëhen e të jepet drejtësi për ata që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. Nuk mund të ndërtojmë një demokraci të qëndrueshme dhe të drejtë pa njohur të vërtetën dhe pa kërkuar ndjesë për krimet që ndodhën. Europa e ka dënuar komunizmin, Amerika e ka dënuar me karrige elektrike lëvizjen komuniste, ndërsa Shqipëria vazhdon të heshtë, duke përforcuar një sistem që ende mbron pasojat e regjimit.

Mos dënimi i krimeve të komunizmit, glorifikimi i ideologjisë komuniste si bazë për të sunduar shtetin janë të dështuar duke e çuar Shtetin Shqiptar nga një sistem demokratik në një sistem diktatorial. Shteti shqiptar ka dështuar të mbrojë viktimat e komunizmit dhe të bëjë drejtësi për të kaluarën, ndërsa ka vazhduar të ndihmojë trashëgimtarët e diktaturës. Politikanët shqiptarë që janë ende në pushtet, jo vetëm që nuk e kanë dënuar komunizmin, por kanë heshtur dhe janë bërë bashkudhëheqës të një ideologjie të vjetër, të shkatërruar dhe të dështuar. Malësia e Madhe krahina që i tha jo komunizmit në këtë 80-vjetor të kryengritjes antikomuniste kërkon drejtësi përpara një shteti që hesht ndaj padrejtësisë që ju është bërë antikomunistëve shqiptarë! 25 janari duhet të jetë ditë historike kombëtare dhe krenarie për Shqipërinë. Kjo ditë bën krenar shqiptarët në Europë për qëndresën, sakrificat dhe mbrojtën e lirisë. Në këtë ditë të shënuar na kalon në vëmendje thënia e Martin Luter Kingut: “Një padrejtësi në çfarëdo vendi është një kërcënim për drejtësinë kudo!”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat