Të merresh me sporte luftarake në Kosovë gjatë viteve të 90-ta, ka qenë njësoj sikur të jesh në vijën e parë të frontit me regjimin kriminal serb.
Sportistët shqiptarë të Kosovës u përballen me kërcënime nga më të rënda, disa u rrahën dhe u arrestuan nga pushtuesi serb në periudhat e ndryshme (1991-1999).
Sportistët tanë asnjëherë nuk u dorëzuan para regjimit serb, por me këmbëngulësi dhe krenari vazhduan garat e Republikës së Kosovës, ashtu si munden në livadhe dhe fusha të improvizuara.
![Image](/media/botasot.info/images/2020/December/09/auto_Capture1607534483.jpg)
Ajvaz Berisha i takon Gjeneratës së Republikës. Ai nga periudha 1985 dhe deri në vitin 1992 ishte kryetrajner i klubit të karatesë Feronikeli nga Drenasi.
Në vitet më të rënda, në kohën e pavarësimit të sportit të Kosovës (1991) nga ish jugosllav dhe ai i Serbisë, Berishën e gjen kryetrajner në KK Feronikeli.
Ai ishte ndër të parët me Ali Latifin që kontriboi në pavarësimin e sportit të Kosovës. “Bashkë me Ali Latifin dhe Isak Latifin ishim të parë në pavarësimin e sportit (periudha e majit 1991)”, tregon Berisha.
Ai e ka brezin e zi, shkalla VI DAN, është prof. Dr. i sporteve luftarake dhe me karate merret që nga viti 1979. Një fakt interesant, ai ka qenë kryetrajner në dy shkolla të karatesë në Gjermani në periudhën 1994-1997
Në fund të vitit 1997 kthehet në Kosovë dhe shkon në fshatin Obri të Drenicës, fillon t’i stërvitë jo vetëm të rinj e të reja (t’ia mëson artin luftarak), ku i kishte bërë të gatshëm për luftë, në fakt edhe vet iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). “Ndër të parët jam kthyer nga perëndimi, në atëkohë”, thotë Berisha.
![Image](/media/botasot.info/images/2020/December/09/auto_41607534476.jpg)
Ai ka qenë komandant "Tigri" i njësisë vëzhguese - diversante të Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.
Berisha asnjëherë nuk u ndal në shërbim të sportit dhe të shtetit të Kosovës. As kërcënimet e milicisë serbe nuk i linin përshtypje në vitet e 90-ta por me vendosmëri kreu misionin e tij në shërbim të atdheut.
Prof. Dr. Berisha dy mandate ka qenë dekan i fakultetit të edukimit fizik, një mandat anëtar i bordit të UP-së. Sportist dhe luftëtar i dalluar.
Sot është krenar që djemtë dhe vajzat tona lozin në stadiume dhe palestra sportive po ashtu garojnë në garat zyrtare ndërkombëtare, që kjo e drejtë iu mohua në vitet e 90-ta nga pushtuesi serb i dirigjuar nga kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviqi.