Viti 2020 ishte tragjik për sportin, i cili mbeti pa legjendat Diego Armando Maradona dhe Kobe Bryant.
Krahas pandemisë COVID-19, viti 2020 do të mbahet në mend edhe për humbjen e dy legjendave të sportit.
Njëri prej futbollistëve më të mirë në histori, Diego Armando Maradona ka ndërruar jetë papritmas.
Në fakt, legjenda e futbollit argjentinas dhe atij botëror u shua në muajin nëntor pas një sulmi në zemër.
Kohëve të fundit, 60 vjeçari ishte duke u rehabilituar pas një operacioni në tru.
Mirëpo, bota e futbollit e mori lajmin e zi pasi Maradona nuk ia doli t’i shpëtonte sulmit kardiak.
Futbollistë, trajnerë dhe njerëz të tjerë të përfshirë në futboll i shfrytëzuan rrjetet sociale për ta shprehur pikëllimin me rastin e vdekjes së Maradonës.
Legjenda argjentinase e kishte një jetë të përshkuar me skandale, sidomos pas futbollit, ndërsa në karrierë arriti të fitonte thuajse gjithçka.
Ai ishte një artist i topit.
E paraprakisht, në pjesën e parë të vitit, sporti e humbi një tjetër legjendë.
Njëri prej basketbollistëve më të mirë në histori, Kobe Bryant ndërroi jetë pas një aksidenti ajror.
Për shkak të mjegullës, helikopteri i tij personal u përplas dhe u përshkua në flakë në muajin janar.
Krahas 41 vjeçarit, ndërroi jetë edhe vajza e tij, Gianna, 13 vjeçarja që premtonte se do të shndërrohej në një basketbolliste të njohur.