Që nga sot Mimoza Shkodra është edhe zyrtarisht anëtare me të drejta të plota e Observatorit Global të Aktivitetit Fizik (GOPA) dhe anëtarja e vetme shqiptare.
Është një karakteristikë interesante dhe që besa skandaloze sepse në këtë organizatë deri me tash është paraqitur një serb nga Beogradi, duke e keqpërdorur emrin e Kosovës.
Ish volejbollistja e mirënjohur dhe ish reprezentuesja e Kosovës, Mimoza Shkodra, aktualisht nënkryetare e Federatës së Volejbollit të Kosovës, po ashtu edhe profesoreshë në AAB, falë këmbëngulësisë së saj të pashoq për muaj me radhë, ia doli që të largon serbin, që e keqpërdorte emrin e Kosovës.
Ajo tregon se çfarë roli të rëndësishëm ka kjo organizatë dhe si e ka bindur organizatën që serbi nga Beogradi nuk mund ta përfaqësojë në asnjë rrethanë Kosovën sepse Kosova është shtet!
“Me qenë anëtare e GOPA do të thotë shumë për Kosovën dhe mua, pasi që tani jemi anëtare me të drejta të plota. Me vjen mirë që jam edhe anëtarja me e re e GOPA- s, pasi që deri sot nuk ka patur asnjë shqiptare të përfaqësuar.
Fillimisht me ka kontaktuar sekretarja e përgjithshme e Observatorit (dhe kjo fal një hulumtimi të botuar nga ana ime për efektet e trajnimit në parametrat funksional të femrat), dhe me ka kërkuar hapur që të pranoj anëtarësimin tim aty, mirëpo si shtetase e Shqipërisë dhe jo e Kosovës, pasi që Kosovën e përfaqësonte një serb nga Beogradi nga vitit 2012, dhe nuk arrinin ta ndanin shtetin e Kosovës nga Serbia.
Sigurisht që unë nuk pranova pasi që Kosovën mund të përfaqësojmë ne shtetasit e Kosovës dhe assesi ndokush tjetër. Këto bisedime kanë zgjatur disa muaj, derisa jemi pajtuar që Kosovën duhet ta përfaqësojnë shtetasit e Kosovës.
Mirëpo tani jam shumë e lumtur që unë dhe studiuesit e fushës së aktivitetit fizik, epidemiologjik dhe politikbërës të shëndetit publike në Kosovë e kanë anëtaren e tyre në Këshillin Global të Aktivitetit Fizik dhe Shëndetit”, tha Mimoza për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Krahas shumë aktiviteteve, a do të konkurroni për kryetare të FVK-së dhe çfarë synon në vitin 2021?
“Unë do të jem pjesë e FVK- së me kënaqësinë më të madhe... por nuk do të jem kandidate për kryetare këtë herë, pasi që kam angazhim të shumta profesionale dhe familjare dhe nëse nuk arrij të jap 100% të angazhimit tim, nuk dua të marr një pozitë”, përgjigjet Mimoza.