Pushtuesi serb ndërhyri në mënyrën më të vrazhdë në një nga ngjarjet e Kampionatit të Republikës së Kosovës në pingpong gjatë viteve të 90-ta, duke rrahur dhe arrestuar disa nga udhëheqësit e asaj kohe.
Ishte moment trishtues, pasi që regjimi serb përdori forcë dhe arrestoi sportistë - djemve që luanin me topin e celuloidit!
Nehat Çitaku i takon Gjeneratës së Republikës. Ai ka qenë prej pingpongistëve më të mirë në vitet 90-ta (1991-1999) dhe ishte halë në sy për pushtuesin serb.
Si sot i kujtohet Çitakut ndërhyrja e policisë serbe, saqë njërin e kishin dërguar edhe në burgim prej 30 ditësh.
“Në një garë të organizuar nga Federata e Pingpongut të Republikës së Kosovës në Mitrovice, ndërhyri policia serbe dhe i burgosi 8 udhëheqës e lojtar, me ç’ rast Tasim Brovina dënohet me 30 ditë burg.
Garat u mbajtën në dy kafene dhe kjo njihej si burgosja e parë e sportisteve për shkak të organizimit paralel të sportit”, tregon Çitaku për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Çitaku asnjëherë nuk u ndal përkundër kërcënimeve të regjimit serb, por ai së bashku me mijëra sportistë shqiptarë, i zhvilluan garat në kushte të rënda dhe e mbajtën gjallë sportin.
Çitaku që i dha shumë këtij sporti dhe po i jep ende, ndihet krenar që i bën rezistencë të fortë regjimit serb për gjatë kohës së okupimit.