Karateistët Elhami Shabani, Herolind Nishevci dhe Fortesa Orana, po përgatiten në Dubai për Lojërat Olimpike – “Tokyo 2020”.
Shabani tha se atmosfera është shumë e mirë dhe janë të gjitha parakushtet për t’u përgatitur sa më mirë.
Reprezentuesi i Kosovës, beson dhe shpreson se do të siguroj normën olimpike për në Tokio.
Shabani është prej karateistëve më të mirë në Kosovë dhe garon në disiplinën -75 kg.
Ai është optimist se do të arrijë normën olimpike duke e pasur për bazë edhe formën që po kalon deri me tash.
“Bota sot”: Cila është atmosfera në Dubai, tre karateiste stërvitni, çfarë synoni?
Elhami Shabani: Këtu në kamp ka shumë kampionë edhe krejt çka jem këtu e kemi synimin që me u përgatitur sa më mirë për garën kualifikuese për Lojërat Olimpike.
“Bota sot”: A shpresoni se do të kualifikoheni?
Elhami Shabani: Shpresoj shumë në kualifikim sepse tanë jetën kemi ushtruar për këtë ditë, edhe jam në formë shumë të mirë.
“Bota sot”: Ku e sheh përparësinë?
Elhami Shabani: Përparësia kryesore është që 4 favoritët kryesor janë kualifikuar. Tash janë edhe 3 vende që dërgojnë drejt Tokios.