Vajzat dhe gratë shqiptare të Kosovës, në vitet e 90-ta, si asnjëherë më parë ishin të mobilizuar edhe në sport, duke iu kundërvu fuqishëm regjimit serb.
Besire Domaniku i takon Gjeneratës së Republikës dhe është sportistja bindshëm më e mirë në pingpong në periudha të ndryshme.
Domaniku, si mijëra sportiste dhe sportistë, vepruan fuqishëm në shërbim të sportit, duke e mbajtur gjallë në fusha të improvizuara dhe i rezistuan regjimit serb.
Domaniku asnjëherë nuk u ndal, si shumë sportistë tjerë, me topin e celuloidit u detyruan të luajnë në shkolla dhe bodrume, për të mbajtur gjallë këtë sport, për shkak se ishin vazhdimisht të kërcënuar nga regjimi serb në kohën e okupimit (1991-1999).
“Karriera ime mbështetet në tri etapa, të fillimit të karrierës, mandej me titullin e kampiones në Serbi në vitin 1987, masandej ndërprerja në moshën 18-vjeçare, në kohën kur hyjnë masat e dhunshme, pastaj mbas viteve të 90-ta kam luajt në ligën e meshkujve të Republikës së Kosovës!
Etapa e tretë ka filluar në vitin 2002, ku vazhdova me aktivizimin e femrave dhe i përvishem punës për pranimin e Federatës së Pingpongut të Kosovës në federatë ndërkombëtare që u realizua në vitin 2003!”, tregon në pika të shkurtra Domaniku për gazetën “Bota sot”.
Sportiste kulmore që merret tash e 40 vite me sport (4 dekada) apo një jetë me sport, ka pasur sfida të shumta, që nga vitet e 80-ta, 90-ta dhe pas luftës.
“Te gjitha peripecitë e pingpongut janë të lidhura me mua, ka më shumë se 40 vjet në sport, nuk është pak një jetë e tërë, me të gjitha obligimet private, si vajzë, motër, bashkëlojtare, grua, nënë e udhëheqëse në pune!
Unë shumë i vlerësojë femrat që i kanë kushtu një jetë të tërë sportit, se me të vërtet ne jemi një gjeneratë që i kemi tejkaluar të gjitha vështirësitë dhe jemi dalë fituese. Kemi punu që gjeneratat e reja të kenë më lehtë e të kenë mundësi në arritje të sukseseve kulminate!”, thotë Domaniku.