Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani ka sqaruar të ardhurat financiare të Sekretarit të Përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, për të cilat kandidatja për postin e të parit të KOK-ut, Linda Shala ka hedhur dyshime.
Hasani dhe Shala sonte të ftuar në emisionin “Kampionët” në televizonin Kanal10 kanë debatuar rreth planeve të tyre për të ardhmen e KOK-ut.
Gjatë debatit, Shala i ka kërkuar Hasanit që të sqarojë situatën e Haxhijajt pasi i ka mbetur borxh për t’ia shpjeguar.
Hasani deklaroi se është lutur që Shala të mos ia bënte këtë pyetje, pasi ka një përgjigje të fuqishme.
“Ke keqpërdor bankën, ndaj e ki porosinë nga Haxhijaj. Rroga ime është e rregullt, ndihma që ka dërguar KO ndërkombëtar, e për rimëkëmbje, 20 për qind, vetëm një rrogë më tepër, dhe janë dy mbledhje që janë grumbulluar.
2000 euro i ka marrë nga trusti pensional. Prej KOK-ut ka marrë pagën e tij që e ka mujore edhe një nga ai ndërkombëtar, dy honorarë të mbledhjeve. Te ne paguhet njëqind euro një mbledhje”, ka deklaruar Hasani, transmeton Insporti.
Shala insistoi se nuk e ka bërë një gjë të tillë, duke kërkuar shifrën e saktë nga Hasani për pagën e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës.
“3500 ose 3600 euro me të gjitha mëditjet. Paga e tij është 1400 euro. Do të pasojë padia për zyrtarin e bankës që ka keqpërdorur pozitën e tij”, ishte përgjigja e Hasanit.