​Flet kreu i ri i KOK-ut: Sot ka fituar sporti i Kosovës

Sporti

​Flet kreu i ri i KOK-ut: Sot ka fituar sporti i Kosovës

Më: 25 mars 2021 Në ora: 22:22
Ismet Krasniqi

Ismet Krasniqi është zgjedhur presidenti i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

Krasniqi kishte më shumë vota se ish-presidenti Besim Hasani, dhe më shumë se kandidatja tjetër Linda Shala.

Pas ceremonisë, presidenti i sapo zgjedhur Krasniqi u pyet nga KosovaPress se si do të jetë KOK-u nën udhëheqjen e tij, ku tregoi se do të bëjë punë maksimale dhe të mira për sportin në përgjithësi.

Krasniqi: Do të bëjmë punë të mira me grupin tonë

“Ne e prezantuam programin tonë dhe ne do t’i përmbahemi pikërisht ati programi të cilin e prezantuam edhe në këtë vend. Besoj që do të bëjmë punë maksimale dhe do të bëjmë punë të mira me grupin tonë. Unë mezi po pres tash të bëhet zgjedhja e nënkryetarit dhe anëtarëve të bordit sepse ata do i kemi në krah në udhëtimin tonë në katër vitet e ardhshme”, tha Krasniqi.

Po ashtu, Krasniqi u pyet për qëllimet e tij gjatë kohës si president, ku u shpreh se do të ketë përkrahje maksimale drejt federatave të shumta.

Krasniqi: Të punojmë në mënyrë strategjike

“Të punojmë në mënyrë strategjike, të bëjmë një plan strategjik që të mos punojmë pa ide pa plane. Mandej siç e ceka edhe në fjalimin tim, do të punojmë në zhvillimin e sportit, të infrastrukturës dhe jo infrastrukturës, dhe kjo duhet të jetë primare, sepse pa një projekt të tillë pa një zhvillim të tillë, ne nuk mund të ecim përpara. Do të punojmë shumë në organizime të tilla, do të ju ndihmojmë federatave në çdo aspekt, do të bisedojmë për çdo problem që kanë, dhe kjo do të jetë rotacion sepse ata do të sillen kohe pas kohe çdo tre muaj, do të sillen do të ndërrojnë federatat që me marr mendime nga anëtarët e bordit për problemet e tyre, sepse këta na zgjodhën dhe ne do te punojmë për ta”, u përgjigj Krasniqi.

Së fundmi ai u pyet nëse e kishte merituar fitore, ku kishte përgjigje direkte duke thënë që kjo është fitore e sportit të Kosovës.

Krasniqi: E kam pritë një fitore të tillë

“Po e kam pritë një fitore të tillë sepse kam punuar për këtë fitore. I kom bind delegatët, federatat për programin tim, e kanë pëlqyer idenë time. Nuk ka qenë lehtë të fitohet, po mirë fitova, tash ecim tutje. Sot ka fituar sporti i Kosovës”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat