Opinion/ Gjithçka ndryshoi me 25 mars në Kuvendin zgjedhor të Komitetit Olimpik të Kosovës.
E veçanta është data 25 mars, që i jep fund Besim Hasanit pas 25 viteve në krye të KOK-ut. 25 marsi, 25 vite në post dhe viti 2021, janë që duhet shënuar si shifër e pakëndshme për z. Hasani.
Hasani është një burrë i respektuar, i vyer, mendjehollë, mikpritës, kontribues i madh për sportin e Kosovës në ditë më të vështira, në gjeneratën e sakrificës i doli ballë për ballë agresorit serb, shembullor për mirësjellje, por u tregua “frikacak” në vitet e fundit!
Sepse me kohë u dashtë të pastrojë terrenin por nuk e pati guximin të veprojë dhe e gjeti humbja! Të njëjtin fat mund ta pres edhe Ismet Krasniqin, kryetarin e ri, nëse nuk vepron me kohë dhe lejon që ta dominojnë të pamerituarit apo ata që i vardisen se po duan më shumë se ai veten.
Si i humbi zgjedhjet Besim Hasani?
Hasani asnjëherë nuk i ka humbur zgjedhjet, çdo kundërkandidat e ka mposhtur pa asnjë problem dhe vetëm me një buzëqeshje, por kësaj radhe u mposht nga Ismet Krasniqi, një burrë i matur e me vizion dhe koha do ta dëshmojë punën e tij, plus apo minus.
Si ndodhi humbja e tij? Nuk do edhe shumë filozofi, gjithçka shihej edhe në fushatë.
Besim Hasani në katër vitet e fundit krijoi një rreth të ri, duke menduar se do të fuqizohet edhe më shumë dhe do të jetë edhe më i paprekshëm, por në fakt ia kthyen shpinën kur më së paku pritej.
Ai besonte shumë në fytyra të reja, disa prej tyre që i kishte rreth vetes dhe nuk do të imagjinonte asnjëherë se do të jenë kundër tij në fushatën zgjedhore. Ose siç thonë disa: “Ai vet e krijoi at rreth”.
Dy figura që para katër viteve, ishin edhe krahu i djathtë i Hasanit, mos t’i quajmë edhe “militant” Gazmend Maxhuni dhe Milaim Kelmendi, që të dytë ia kthyen shpinën.
Cila është arsyeja që ia kthyen shpinën më së miri e dijnë treshja e përafërt që na ishin njëherë: Hasani – Maxhuni – Kelmendi. Një dashuri e fikur sportive apo na ishte një herë kjo treshe.
Një proverb popullor thotë: “Lisin veç pyka e vet e qkynë” . Kështu edhe doli, sepse po të ishin pas Hasanit këta të lartpërmendurit, mu rrotullar tokë e qiell, Hasani nuk ka pasur kush që e lëkund.
Jo vetëm Hasani, por edhe Latif Demolli, që konkurroj për anëtar bordi të KOK-ut, humbi, u ndje tejet i zhgënjyer sepse e tradhtuan shokët e tij.
Latif Demolli para se të shkonte të kutia e votimit, llogariti në 40 vota të sigurta, qysh në start, te kutia e mbërrinte 51-shin, kur u kthye të ulësja e vet, i dolën 19 vota! Dëshpërim. Latif Demolli jo që u dëshpërua për humbje, por u ndje i mashtruar e i tradhtuar, ia kanë pi supën dhe prapë se kanë votuar.
Sigurisht supa e Latës nuk ka qenë me shije apo tepër e lirë, kjo nuk i ka bind të tjerët që ta votojnë njeriun kryesor të boksit në Kosovë. Zgjedhjet gjithmonë prodhojnë pasiguri dhe kutia gjithmonë është një votë që nuk dihet për kë shkon!