Përmes një deklarate për mediat, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka bërë me dije se ka arritur një marrëveshje me kompaninë Pfizer-BioNTech për të vaksinuar falas të gjithë sportistët, trajnerët dhe delegacionet olimpike që do të jenë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” (23 korrik-8 gusht).
Pfizer dhe BioNTech kanë rënë dakord me IOC për të dhuruar vaksinën anti-Covid për të gjithë pjesëmarrësit.
“Të gjitha komitetet olimpike kombëtare duhet të punojnë me qeveritë përkatëse për të koordinuar shpërndarjen e vaksinës konform kushteve të vaksinimit”, thuhet në deklaratën e IOC.
Dorëzimi i dozave të para të vaksinës së Pfizer do të nisë që në maj, për të përfunduar brenda qershorit vaksinimin e të gjithë pjesëmarrësve me të dyja dozat e nevojshme.
“Ftojmë sportistët e të gjithë delegacionet të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur, duke dhënë shembullin e tyre për të pranuar vaksinën dhe rikthimin sa më shpejt në normalitet. Ne synojmë një Olimpiadë të sigurt”, tha IOC.