Sportet në Republikën e Kosovës mbijetuan ashtu si munden në vitet e 90-ta (1991-1999), duke i zhvilluar aktivitetet në fusha, salla dhe lokale të improvizuara, pasi që stadiumet dhe palestrat sportive u uzurpuan nga okupatori serb.
Shahistët dhanë kontribut të madh në vitet e 90-ta, duke i zhvilluar garat, që nga Kampionati dhe Kupa e Kosovës, si dhe turnetë të shumtë.
Përparim Makolli i takon Gjeneratës së Republikës, shahist i spikatur dhe më shumë tituj kampioni të Kosovës dhe të turneve të ndryshme.
Mjeshtri ndërkombëtar i shahut, asnjëherë nuk u ndal nga aktivitetet e Republikës së Kosovës, ishte i gatshëm të paguajë çdo çmim, por kurrë që të dorëzohet para pushtuesit serb.
Në vitet e 90-ta, Makolli ka luajtur me sukses për klubin Kalaja e Vushtrrisë, 4 herë kampion, pastaj të Prishtina.
Personalitet i rrallë, një trim që nuk e kishte shoqin, gjithmonë në vijë të parë të lojë së shahut dhe në anën tjetër me shumë shokë i bëri rezistencë të fuqishme regjimit serb.
“Një që e mbaj në mend është turneu ‘Kosova 1995’, ku isha i pari. Luajtëm aty ku shiten devizat.
Policia serbe na pat ndërpre turneun. Pastaj kemi vazhduar në Vranjevc të shtëpia e Sami Ademit, tash afër është Raiffeisen Bank”, tregon Makolli për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Makolli është i lumtur që i takoi gjeneratës së sakrificës, që dhanë aq sa patën mundësi secili nga sportistët, për të mbijetuar sporti në përgjithësi.