Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) e ka ndarë në katër pika programin e saj përmes së cilave synon zhvillimin dhe avancimin e sportit kosovar brenda mandatit katër vjeçar të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka thënë se puna e tyre ka filluar me takime të njëpasnjëshme me federatat sportive në Kosovë për të parë dhe kuptuar nga afër problematikat me të cilat përballen ato. Me këtë rast janë nënshkruar 42 memorandume bashkëpunimi mes MKRS-së dhe këtyre federatave.
Osmani: Kemi nënshkruar 42 memorandume bashkëpunimi me federatat sportive vendore
“Duke marrë parasysh gjendjen se si e kemi gjetur departamentin e sportit, sektorin e sportit në përgjithësi, problemi kryesor me të cilin jemi sfiduar edhe me të cilin jemi marrë dhe jemi munduar ta zgjedhim për një afat më të shkurtër kohor ka qenë nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit me federatat për shkak se kanë kaluar katër muaj, pesë muaj prej kur ato kanë qenë të supozuara me i pranu, të paktën TM1-shin të cilin iu takon në bazë të rregulloreve për subvencionim për federata. Kështu që takimet e para që i kemi zhvilluar me ata kanë qenë takime të përbashkëta ku edhe janë nënshkruar memorandumet. Jemi takuar me të gjithë, janë nënshkruar deri tani 42 memorandume me 40 federata të cilat janë të licencuara nga ministria jonë dhe njëkohësisht me Komitetin Olimpik dhe Komitetin Paraolimpik të Kosovës.”, tha Osmani.
Osmani bëri të ditur se brenda MKRS-së është krijuar një grup punues i cili ka për detyrë të bëjë vlerësimin e gjendjes ekzistuese në sport dhe të dal me rekomandime dhe masa specifike përmes të cilave do të bëhet avancimi i sektorit të sportit brenda Kosovës.
Osmani: Kemi krijuar një grup punues brenda ministrisë sonë i cili do ta bëjë vlerësimin e gjendjes ekzistuese në sport
“E kemi krijuar edhe një grup punës i cili është duke u marrë me vlerësimin e gjendjes ekzistuese në departamentin e sportit brenda ministrisë tonë. Qëllimi i këtij grupi është të vlerësoj zhvillimin e politikave sportive që janë bërë deri më tani, të vlerësojë kornizën ligjore primare, sekondare, kapacitetet buxhetore dhe politikat financiare të cilat kanë qenë pjesë e sistemit sportiv deri më tani. Janë edhe tre-katër pjesë të tjera të cilat do të vlerësohen që mandej do të dal grupi punues me rekomandime dhe masa specifike përmes së cilave qëllimi do të jetë avancimi i sektorit te sportit brenda Kosovës[...]Sporti është i vetmi departament në të cilin nuk ka strategji momentalisht, që ka pasur disa tentativa në bazë të raporteve që i kemi marrë mirëpo nuk kanë qenë të suksesshme kështu që prioritet e kemi hartimin e strategjisë e mandej në bazë të strategjisë edhe të kanalizohet qasja e sakte se nga po duam ta çojmë sportin kosovar”, deklaroi Osmani Osmani.
Më tutje Osmani ka zbuluar katër pikat kryesore të programit të kësaj ministrie me anë të të cilave synohet avancimi i mëtutjeshëm i sportit kosovar në përgjithësi.
Osmani: Këto janë katër pikat kryesore të programit tonë me anë të të cilave synojmë avancimin e sportit vendor brenda mandatit katër vjeçar
“Qëllimi në bazë të këtij plani strategjik edhe operativ që kemi hartuar, sektorit të sportit i ka takuar një qëllim. Qëllimi i këtij mandati është sporti të shndërrohet. E para është fuqizimi i politikave kombëtare sportive, do të thotë të shohim saktësisht se si shtet nga po duam ta orientojmë shtetin...Pika e dytë në të cilën do të fokusohemi është konsolidimi i rezultateve tona elitare. Ne dimë që kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme fillimisht përmes xhudos e mandej edhe sporteve të tjera, mirëpo kësaj radhe[...]me prioritet do të trajtohet zhvillimi i trajnerëve kosovar...Pika e tretë që do të trajtohet me fokus është ajo që është pjesë edhe e qëllimit, do të thotë sporti të jetë mekanizëm për ruajtjen e mirëqenies tone fizike, sociale, mentale, emocionale. Mund ta diferencojmë sportin profesional, elitarë dhe sportin rekreacional e shëndetësor. Këtë parashihet ta bëjmë më së miri përmes sportit shkollor edhe sportit universitarë[...]Pika e katërt, kjo e cila është tabu në komunitetin sportiv është avancimi i infrastrukturës sportive. Si e parashohim avancimin e infrastrukturës sportive? Fillimisht është finalizimi i projekteve ekzistuese të cilat janë premtuar disa prej tyre kanë filluar mirëpo asnjëherë nuk janë finalizuar.”, u shpreh Osmani.
Sa i përket infrastrukturës sportive, veçanërisht ndërtimit të stadiumeve të reja në Kosovë, Osmani ka bërë të ditur se fokusi kryesor i MKRS-së do të jetë së pari funksionalizimi i stadiumeve ekzistuese për shkak se shumë prej tyre nuk i plotësojnë kushtet elementare që kërkohen për mbajtjen e aktiviteteve sportive. Sipas saj, janë 69 projekte sportive brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e pjesa më e madhe e tyre i takojnë sportit të futbollit.
Osmani: Janë 69 projekte sportive në program, por fillimisht do të përqendrohemi në funksionalizimin e atyre ekzistuese
“Siç e thashë, diku janë 69 projekte sportive brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e pjesa më e madhe e tyre i takojnë sportit të futbollit[...] Para se të mendojmë shtrirjen, unë e kisha kthyer në këtë pjesën që duhemi me i funksionalizu ato që janë premtuar. E dimë stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, ende nuk është rinovuar, stadiumi i Gjilanit ende nuk është rinovuar, stadiumi i Prizrenit ende nuk është bërë diçka në të konkrete kështu që qëllimi ynë do të jete me i funksionalizua këto stadiume.” theksoi Osmani.
Në fund Osmani ka bërë të ditur për KosovaPress se janë në bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të sigurohen vaksina për të gjithë sportistët të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare në gara të ndryshme.
Osmani: Do të vaksinohen të gjithë sportistët të cilët do ta na përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare
“Për çështjen e Lojërave Olimpike, do të thotë edhe të organizimeve të tjera, do të thotë ajo çfarë vjen prej organizatave botërore është njëfarë rekomandimi për shkak se përndryshe duhet të karantinohen para se të hyjnë në shtetet të cilat veç e kanë karantinimin 14 ditor, veç jemi në bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë çështje dhe besoj, sidomos ekipa olimpike, duke marrë parasysh që jemi ne vit olimpik dhe është një ndër eventet më të rëndësishme të këtij viti do të sigurohemi që ekipa të jetë e vaksinuar dhe të mos ketë nevojë sportistat në vend që të zhvillojnë stërvitje ne arenat ku do të zhvillohen gara olimpike të jenë të mbyllur nëpër hotele.”, tha në fund Osmani.