Së shpejti do të dal në dritë libri për sportin e Republikës së Kosovës.
"Mevetësimi i Sportit Kosovar 1991-1999 rast i veçantë në botë”, me autorë Ejup Maxhera dhe Sejdi Mërkoja.
Dy emra që i dhanë shumë sportit të Kosovës në periudha të ndryshme, sidomos në vitet më të rënda (1991-1999), Ejup Maxhera dhe Sejdi Mërkoja, brenda pak ditëve do të promovojnë librin e jashtëzakonshëm, që i përfshinë të gjitha sportet në kohën e okupimit, që u përballen me regjimin serb.
Ejup Maxhera veprimtar i shquar sportiv, një kohë të gjatë ka qenë kryetar i Federatës Bjeshkatare dhe Alpiniste të Kosovës, ndërsa Sejdi Mërkoja, sekretar i parë i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, në periudhën 1991-1994, kanë bërë një punë të madhe, duke paraqitur ngjarje shumë domethënëse të asaj kohe, se si u zhvillua sporti në ato vite të rënda dhe si iu kundërvunë regjimit serb.
"Promovimi bëhet me 14 qershor në orën 12.00 në hotelin 'Emerald' në Prishtinë", njoftojnë autorët e librit për gazetën kombëtare "Bota sot".