Kombëtarja e Kosovës në karate ka përfunduar garat në turneun kualifikues olimpik për Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat u mbajtën në Paris të Francës, nga 11 deri 13 qershor.
Nga pesë garuesit që morën pjesë, më së afërmi normës olimpike ishte Herolind Nishevci, në kategorinë +75 kilogramë.
Garuesi ynë arriti deri në çerekfinale, duke shënuar tri fitore. Mundi Abu Ahamd të Izraelit, Maciej Gebka të Polonisë, ndërsa në raundin e katërt fitoi ndaj Muhamed Ramadan të Egjiptit. Në çerekfinale u mund nga gjeorgjiani, Gogita Arkania, i cili fitoi normën olimpike. Nishevci vazhdoi ëndrrën olimpike përmes repesazhit, por u mund nga holandezi, Lardy Tyron-Darnell.
Edhe Fortesa Orana, shënoi dy fitore, për t’u ndalur në tretën të kategorisë +68 kg.
Elhami Shabani shënoi një fitore, por u ndalë në tretën të kategorisë -75 kg, garuan Adelina Rama (-61 kg) dhe Albulena Gërvalla (-55 kg), të cilat pësuan humbje në luftën e parë.
Turneu kualifikues ishte shpresa e fundit për të fituar normën olimpike karateistët. Mundësia e vetme që të paktën Herolind Nishevci ose Fortesa Orana të marrin pjesë në LO Tokio 2020, është përmes ftesës nga Komisioni Tre Palësh i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare dhe Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore. Të dy janë propozuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës për të marrë ftesë, njofton Federata e Karatesë së Kosovës.