Erkand Qerimaj është kualifikuar për të përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën e Tokios këtë verë. Peshëngritësi shkodran në një intervistë për A2 ka treguar se është një ëndërr për të kjo pjesëmarrje, ndërsa shton se synimi i tij është të jetë mes më të mirëve të botës.
“Kemi 3 vite që bëjmë gara kualifikuese, kemi marrë pjesë në Evropian, Botëror dhe gara të tjera për të mbledhur pikë për Olimpiadën. Kjo është hera ime e dytë që marr pjesë në Olimpiadë, pas asaj të vitit 2008. Është ëndërr për sportistët dhe trajnerët, është si Kampionati Botëror i Futbollit.
Jemi vetëm 3 sportistë të kualifikuar, Luiza Gega, Briken Calja dhe unë. Nuk është e lehtë të kualifikohesh dhe të përfaqësohesh mes elitës së botës.
Kemi qenë paksa në stres derisa doli zyrtarisht njoftimi për pjesëmarrjen time. Sapo doli, po stërvitem dy herë në ditë. Institucionet ende nuk kanë hyrë në veprim për një përgatitje më speciale, siç e kanë vendet e tjera. Aktualisht, po stërvitem individualisht, me trajnerin.
Synimi është për të qenë ndër më të mirët e botës. Do të mundohem të jap maksimumin për të arritur rezultatet e mia më të mira”, u shpreh Qerimaj.