Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se gazeta “Bota sot” është një dritare e madhe e informimit.
Ai e vlerëson shumë kontributin e gazetës për 26 vite dhe i uron edhe shumë vite të tjera me suksese.
”Shtetformimi i Kosovës dhe mbajtja gjallë e sportit të Kosovës në kohën e izolimit dhe pas luftës, kanë pasur një dritare të madhe të informimit. Përkrahja dhe informimi i aktiviteteve sportive për më shumë se dy dekada e gjysmë nga gazeta "Bota sot", është për t'u çmuar dhe vlerësuar lartë nga e gjithë Lëvizja Olimpike në Kosovë.
Sporti dhe sportistët do t'i jenë mirënjohës gjithë atyre gazetarëve sportivë që kontribuan në gazetën "Bota Sot", e në veçanti gazetarit Kemajl Goca, i cili mbetet adresa e shumë sporteve si ekipore ashtu edhe individuale. Përgëzime për këtë përvjetor dhe uroj të informohemi me lajme edhe për shumë e shumë vjet”, uron Krasniqi.