Një tifoze e Anglisë që u pushua nga puna pasi pretendoi se ishte sëmurë vetëm për të parë ndeshjen e “Tre luanëve” kundër Danimarkës në stadium, mori një ofertë të re interesante.
Ajo do të bëjë komentatoren sportive për një kompani picash për finalen e Euro2020. Nina Farooqi, 37 vjeçe, e cila punon si krijuese materialesh për mediat digjitale, i dërgoi një mesazh punëdhënësit të saj, ku e lajmëroi se nuk vinte dot në punë, pasi ndihej e sëmurë.
Por gënjeshtra i doli shumë shpejt, sepse ajo u pa duke festuar në TV nga miliona shikues, përfshirë edhe shefat e saj.
Një kompani që merret me përgatitjen e picave në ishull, duke parë përkushtimin e tifozes, vendosi që t’i ofronte një vend pune si komentatore futbolli për finalen ndaj Italisë në rrjetet sociale.
Por kjo nuk është oferta e vetme që ajo ka pasur. Tifozja e Anglisë gjithashtu punon si fotografe, e i janë ofruar disa projekte.