Delegacioni i Shqipërisë që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” të cilat do të mbahen nga data 23 korrik deri më 8 gusht, po kompletohet gradualisht.
Ditën e djeshme në kryeqytetin japonez kanë mbërritur edhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli së bashku me sekretarin e përgjithshëm Stavri Bello. Po dje në drejtit të Tokios është nisur edhe qitësja, Manuela Delilaj, i cila ka fluturuar direkt nga Zyrihu.
Të fundit që do ti bashkohen ekipit olimpik shqiptar janë atleti Izmir Smajlaj dhe trajneri i tij Gjergj Ruli.
Ceremonia e hapjes së olimpiadës do të mbahet nesër në orën 13:00 në Stadiumin Kombëtar në Tokio, nën masa të rrepta sigurie për shkak të situatës nga pandemia. Të pranishëm në shkallët e stadiumit do të jenë vetëm 1 mijë spektatorë, ndërsa numri i pjesëmarrësve do të jetë shumë i reduktuar.
Për Shqipërinë do të parakalojnë me flamur vetëm Luiza Gega dhe Briken Calja. Për sa u përket garave, i pari që do të konkurrojë nga kuqezinjtë do të jetë gjimnasti Metvei Petrov, i cili më datë 24 korrik në 07:30 do të garojë në kualifikueset e kaluçit me doreza.