Delegacioni olimpik shqiptar që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” është kompletuar, ndërkohë që pas disa orësh do të zhvillohet ceremonia e hapjes së këtij eventi. Flamurin kuqezi do ta mbajnë atletja Luiza Gega dhe shtangisti Briken Calja.
Ndërkohë, të gjithë sportistët kanë vijuar përgatitjet për të qenë gati për garat e tyre.
Të gjithë janë duke u stërvitur në ambientet përkatëse (Shqipëria garon në qitje, atletikë, not, peshëngritje, gjimnastikë e judo), për t’u ambientuar me garat që për delegacionin kuqezi nisin nesër. I pari do të garojë gjimnasti Matvei Petrov.
Shtangistët Erkand Qerimaj e Briken Calja duken në formë të mirë, madje nga ky i fundit pritet edhe medalje. Vijon stërvitjen edhe atletja Luiza Gega, që stërvitet në palestër, pasi stadiumi olimpik ku do të zhvillohen garat është i zënë me ceremoninë e hapjes.
Sipas KOKSH, ajo kryhen stërvitje në rrugët e Fshatit Olimpik, ku vrapon për të ruajtur formën fizike. Të gjithë sportistët i nënshtrohen çdo ditë testit anti-Covid dhe deri më tani çdo gjë ka shkuar mirë.