Kryeministri Albin Kurti ka komentuar parakalimin e Ekipit Olimpik të Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Tokio 2020.
Përmes një statusi në Instagram, Kurti ka thënë se përkushtimi i jashtëzakonshëm e përpjekjet e pandalshme të tyre për të ngadhënjyer mbi çdo barrierë e sfidë në këtë rrugëtim, janë frymëzim për të gjithë ne.
Ky është statusi i tij i plotë:
Pas një rruge të gjatë, trasuar me fuqinë e ëndrrave të shumë brezave sportistësh, ekipi olimpik i Kosovës parakaloi në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Tokio 2020.
Përkushtimi i jashtëzakonshëm e përpjekjet e pandalshme të tyre për të ngadhënjyer mbi çdo barrierë e sfidë në këtë rrugëtim, janë frymëzim për të gjithë ne.
Zemrat tona janë plot krenari e shpresë, për sakrificat dhe sukseset e sportistëve tanë.
Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë!