Qerimaj triumfon në baterinë B

Sporti

Qerimaj triumfon në baterinë B

Më: 31 korrik 2021 Në ora: 11:58
Qerimaj triumfon në baterinë B

Ka përfunduar aventura në Lojërat Olimpike të Tokios edhe për peshëngritësin shkodran Erkand Qerimaj, i cili nuk ia doli të shkojë përtej vendit të 9 në dygarësh, me vetëm 338 kilogram të ngritura.

Qerimaj garoi në baterinë B në peshën deri në 81 kilogram dhe e mbylli në krye me 338 kilogram të ngritura në dygarësh, por pas përfundimit të garës edhe në baterinë A, shtangisti shkodran zbriti në vendin e 9 të renditjes së përgjithshme, shumë larg zonës së medaljes.

Peshëngritësi 33-vjeçar e nisi me 151 kilogram në stilin e shkëputjes dhe ia doli me sukses, teksa po kaq mirë bëri edhe në dy provat e radhës me 155 dhe 157 kilogram të ngritura, ose 17 kilogram më tepër se ndjekësit më të afërt.

Jo aq e mirë performanca e Erkand Qerimajt në shtytje, pasi ngriti me sukses 181 kilogram në provën e parë, por më pas dështoi në dy të radhës për të ngritur përkatësisht 185 dhe 187 kilogramë, duke mbyllur dy-garëshin me 338 kilogram në total.

Kampion Olimpik në peshën deri në 81 kilogram u shpall kinezi Lyo Xiaojun, i cili ngriti 170 kilogram në shkëputje, 204 në shtytje dhe 374 në dygarësh, duke vendosur tre rekorde olimpike, teksa në podium u ngjitën edhe domenikani Michel Zacarias me 367 kilogram në dygarësh dhe italiani Antonino Pizzolato me 365 kilogramë të ngritura.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat