Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i ka dërguar telegram ngushëllimi Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) dhe Komitetit Olimpik të Belgjikës, për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të KON-it, Jacques Rogge.
Rogge, u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare. Ai drejtoi Lëvizjen Olimpike në botë prej vitit 2001 – 2013, ndërsa më pas ishte emëruar President Nderi nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Rogge ishte më parë edhe president i Komitetit Olimpik të Belgjikës dhe Komitetit Olimpik të Evropës.
“Rogge ishte një udhëheqës i madh olimpik, i cili është përgjegjës për suksesin e madh që Lëvizja Olimpike ka arritur gjatë mandatit të tij si president i KON-it. Bota e sportit është e trishtuar që ka humbur një njeri të tillë dhe një udhëheqës që do të na mungojë të gjithëve”, thuhet mes tjerash në telegram ngushëllimin e presidentit Krasniqi.
Rogge njihej edhe si përkrahës i KOK-ut në procesin e anëtarësimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.