Ish presidenti i Komiteti Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka reaguar ashpër pas shkarkimit të Shasivar Haxhijat nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të Komitetitt Olimpik të Kosovës.
“Me shkarkimin e Haxhijajt, BE i KOK preu degën në të cilën qëndronin!
Organizatat sportive bazojnë zhvillimin e qëndrueshëm të tyre duke u menaxhuar në mënyrë strategjike.
Menaxhimit të tillë i paraprinë hartimi i një plani të mirë strategjik nga ekspertët e fushës dhe nga palët e interesit, në përputhje me misionin vlerat dhe vizionin e Organizatës.
Zbatimi i Planit strategjik me objektiva të qarta strategjike fillon me punësimin dhe angazhimin e stafit me kredibiltet, mendjehapur dhe të motivuar për punë ekipore si dhe me kredencialet dhe eksperiencën më të mirë që ka Kosova!
Me të njejtat motive dhe kritere është punësuar i tërë stafi i KOK duke përfshirë edhe Sekretarin e Përgjithshëm Shasivar Haxhijajn.
Mbrëmë, një pjesë e Bordit të KOK, e preu degën në te cilën qëndronin, duke votuar të largojnë nga puna Shasivar Haxhijajn, njeriun me shumë përvojë dhe të dëshmuar në zbatimin e strategjisë së KOK për Ciklin Olimpik 2017-2020.
Si për ironi, Shasivari u largua në kohën kur KON dhe SO e përzgjodhën në MEMOS (Masteri Ekzekutiv për Menaxhimin e Organizatave Sportive) për të vijuar studimet në Lozanë në funksion të zhvillimit të mëtejmë të Lëvizjes Olimpike në Kosovë!
Kjo pjesë e BE, me këtë veprim klientelist, rikonfirmuan hapur tendencën e rrënimit të krejt asaj që është ndërtuar e sendërtuar nëpër vite.
Harruat se themelet që i gjetët të gatshme mbartin histori, sakrificë dhe integritet! Mbane mend, këto themele nuk rrënohen! Duke synuar ti rrënoni, do të rrënoni veten!
Me këtë qasje jo-Olimpike, ju, jo vetëm që i hapët rrugën diskreditimit tuaj publik, por dëshmuat se po udhëhiqni me të njejtën “ndershmëri” siç siguruat edhe votat.
Prandaj, ju rrënuesit, ju që votuat për largimin e profesionistit, ju që heshturazi i ndërpretë kurset bazë për administratorë të sportit dhe kursin për ASMC 3, ju që tentuat dhe bëtë shumë gjëra të pandershme, mos pandehni se nuk vëreheni nga delegatët e KOK që ju kanë besuar votën!
Ju ata i mashtruat, mos prisni të ju falin!”, reagon Hasani.