Ka nisur kursi evropian për administratorë sporti "S2A Sport Mobility”, të cilin po e vijojnë edhe tetë pjesëmarrës nga Kosova.
Prej dje e deri të premten do të mbahet moduli i parë, në muajin tetor organizohet moduli i dytë, derisa në nëntor moduli i fundit.
Pjesëmarrës në kurs janë 40 vijues nga vende të ndryshme të Evropës, ndërsa shumica prej tyre, nga tetë sosh, janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Kursi, që po mbahet online, po organizohet nga organizata ndërkombëtare “S2A Sport Mobility”, ndërsa po financohet nga programi i Bashkimit Evropian: “Shkëmbimi dhe mobiliteti në sport”.
Vijuesit e përzgjedhur nga KOK-u, në bazë të kritereve të përcaktuara nga organizatori janë: Endrit Syla e Blerina Imeri (KOK), Granit Rugova e Artina Hasani (basketboll), Jeton Oruqi (pingpong), Gresa Bakraqi (atletikë) dhe Venita Smakaj e Fjona Xhelili (sporti universitar).
Koordinator për Kosovë është Endrit Syla, ndërsa në njërin prej moduleve nga Kosova do të ligjërojë edhe kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Jeton Beqiri, njëherit anëtar i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut. Ai do të ligjëroj rreth temës për planet strategjike të organizatave sportive.