Komisioni “Femrat dhe Sporti” që vepron në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës ka organizuar të mërkurën aktivitetin “Barazia Gjinore dhe Diversiteti”, i cili kësaj radhe u zhvilluar në formë punëtorie (workshopi).
Krahas presidentit të KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe presidentes së Komitetit Paralimpik të Kosovës (KPK), Njomza Emini, të pranishëm ishin edhe mjekë, drejtuese të federatave sportive, sportiste e ish-sportiste, etj.
Në fjalën e tij, presidenti Krasniqi, foli për sukseset e KOK-ut në arenën ndërkombëtare, me theks të veçantë medaljet e arta olimpike të fituara pikërisht nga femrat, derisa shtoi se një nga prioritetet e tij si president i KOK-ut, është edhe barazia gjinore, duke veçuar numrin e femrave të përfshira në stafin administrativ të KOK-ut, Bordin Ekzekutiv dhe komisionet.
Presidentja e KPK-së, Njomza Emini, dha lajmin e mirë se shumë shpejtë pritet që edhe Komiteti që ajo drejton të bëhet pjesë e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar dhe në këtë mënyrë edhe sportistet paralimpike të përfaqësohen në Lojërat Paralimpike.
Meqenëse jemi në muajin e ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, foli për rëndësinë që ka aktiviteti fizik në shmangien e kancerit të gjirit, ndërsa Antigona Qenaj Sejdiu nga Qendra Laboratorike Olive, foli për interesimin që kanë gratë për të kryer analiza të tilla, sidomos gjatë muajit tetor.
Workshopi që u mbajt në Hotel Sirius në Prishtinë, u zhvillua me të gjithë të pranishmit, të cilët diskutonin në mënyrë interaktive përmes pyetjeve dhe përgjigjeve, që kishin të bëjnë me historikun e KOK-ut dhe sukseset, të cilat kryefjalë kishin femrat.
Më pas u bë edhe SWOT Analiza, përmes së cilës të pranishmit u ndanë në grupe, për të nxjerrë përparësitë dhe dobësitë e femrave.
Krejt në fund, instruktorja e jogës, Shpresa Rrahmani, mbajti një ligjëratë të shkurtër, për të treguar përfitimet që sjell joga në shëndetin e njeriut.