Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, ka pritur menaxherin e shërbimeve të Federatës Evropiane të Ragbit (Rugby Europe), Jose Gorrotxategi, i cili shoqërohej edhe nga drejtuesit e Federatës së Ragbit të Kosovës, kryetarin, Ndrec Musolli, sekretarin e përgjithshëm, Mark Berrett dhe arkëtarin, Fatmir Smajli.
Sekretari i përgjithshëm, Aliti, duke falënderuar menaxherin Gorrotxategi për vizitën, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e KOK-ut për të përkrahur zhvillimin dhe avancimin e ragbit në Kosovë.
Po ashtu, u bisedua edhe për anëtarësimin e Federatës së Ragbit të Kosovës në Federatën Evropiane të Ragbit, për çka KOK do të ndihmojë federatën tonë, anëtarësim ky që pritet të ndodh në muajin dhjetor të këtij viti.
Menaxheri Gorrotxategi, që me prejardhje është nga Spanja, falënderoi sekretarin e përgjithshëm, Aliti, për pritjen, derisa shprehu gatishmërinë për të fuqizuar bashkëpunimin me KOK-un dhe Federatën e Ragbit të Kosovës.
Palët, biseduan po ashtu për mundësitë që do t’i ketë Federata e Ragbit e Kosovës, për edukimin e kuadrove të saj përmes Akademisë Olimpike të Kosovës, derisa menaxheri Gorrotxategi, mbajti edhe një takim ndarazi me udhëheqësit e Akademisë Olimpike, Fitim Arifin dhe Diellza Kelmendin.