Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, ka qenë panelist në seminarin e 41-të të Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), që po mbahet në Shamorin të Sllovakisë.
Aliti ka folur për përkrahjen që KOK bënë për sportistët elitarë, me theks të veçantë mbështetjen e sportistëve para Lojërave Olimpike Tokio 2020, e që kjo sigurisht se ka pasur ndikim edhe në suksesin e sportistëve, ku u fituan dy medalje të arta me xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova, të cilat dëshmuan se medalja e artë e Majlinda Kelmendit në Rio 2016, nuk ishte e rastësishme, por që erdhi edhe falë punës së madhe të njërit prej trajnerëve më të mirë në botë, Driton Kuka.
Po ashtu, sekretari i përgjithshëm, Aliti, ka theksuar rëndësinë që kanë për KOK-un, fondet e pranuara nga Komiteti Olimpik i Evropës dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, fonde këto që dedikohen kryesisht për sportistët.
Alii ka veçuar edhe mbulimin e shpenzimeve për sportistët elitarë, të cilët për përgatitjet për LO Tokio 2020 dhe Lojërat Olimpik Dimërore Pekini 2022, përkrahen deri në 80 ditë përgatitje jashtë vendit brenda një viti.
Ndarja e 20 bursave për LO Tokio 2020, tri për LOD Pekini 2022, 22 bursa për LO Paris 2024, si dhe ndarja e 24 bursave për “Shpresa Olimpike” dhe 10 të tjera nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, u veçuan gjatë diskutimeve të Alitit, e ku në panel kishte edhe përfaqësues të Komiteteve Olimpike të Evropës.
I pranishëm në seminar është edhe menaxheri i projekteve në KOK, Jeton Rudari.