Mbrëmë derisa po flinte në stanet e Dellofcit të Therandës,ka ndërruar jetë Hizri Halit Gubetini, kampion i Republikës së Kosovës në aeronautikë.
Ai gjatë ditës në këto stane kishte bërë mozaik me gurë të gdhendur,punë kjo në të cilën ai ishte i specializuar .
Gubetini 44 -vjeç deri në çastet e vdekjes nuk kishte pasur ndonjë shqetësim me shëndetin.
Sipas pohimeve të mjekëve vdekja e tij e papritur është vdekje e natyrshme. Supozimet se deri tek vdekja ka çuar ndonjë gjakderdhje në tru apo infarkt në zemër, do të vërtetohen brenda kësaj jave.
Pastaj familjes Gubetini do t’i lëshohet raporti i detajuar, ku saktë do të dihet s’e cilët ishin faktorët që shkaktuan vdekjen.
Adhuruesit e paragllajdizmit sport ky i ri në vendin tonë Hizdri Gubetinin, e njohin në bazë të arritjeve të tij të shkëlqyera, si në garat e nivelit kombëtar, ashtu edhe në ato të zhvilluara në arenën ndërkombëtare .
Më 24-tetor të këtij viti Hizriu në Festivalin Ndërkombëtar të Turqisë “Oludeniz Air Games 2021”pati zënë vendin e parë, duke lënë pas vetes aeronautistët më të njohur të 55- vendeve të botës.
Me këtë sport atraktiv Gubetini është marrë që nga viti 2000 . Ai ishte fitues i shumë çmimeve në vend dhe jashtë tij.
Hizdriu ka fituar shumë medalje,duke thyer rekordet e më hershme në garat e zhvilluara në Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Turqi, Bullgari, Qipro, Serbi dhe Maqedoni të Veriut .
Si pilot profesionist në Federatën Aeronautike të Kosovës, ka kryer edhe detyrën e instruktorit .
Mbresëlënëse për te dhe për të gjithë të apasionuarit e fluturimeve në lartësitë mbi tremijë metra ishin akrobacionet e tij të pandërprera,pesë orë me radhë mbi malet e Moknës, të komunës së Burimit, ish-Istogut.
Po ashtu fluturime për t’u mbajtur gjatë në mend janë edhe ato të realizuara në Berat dhe Llogara të Shqipërisë, si dhe ai në Prilep të Maqedonisë së Veriut .
Prandaj,lajmi mbi vdekjen e hershme të Hizriut, përveç në familjen dhe farefisin e tij u prit me pikëllim, dhe u përjetua rëndë edhe në Federatën Aeronautike të Kosovës, dhe në atë të Shqipërisë.
Z.Ismet Krasniqi, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar familjen Gubetini, duke e cilësuar vdekjen e papritur të Hizdriut, si një humbje që vështirë kompensohet.
Ëndrrën drejt një suksesi të ngjashëm me atë në Turqi, Hizdriut ia ndërpreu vdekja e fshehtë dhe tinëzare.
Ai planifikonte edhe thyerjen e rekordeve tjera në Garat Botërore të Aeronautikës, që në vitin 2024, do të organizohen në Bullgari.
Në listat e Federatës Botërore të Aeronautikës, Hizdriu është pozicionuar në vendin e 17-të, ky një sukses për t’u lakmuar edhe nga vende me traditë të gjatë në këtë fushë.
Mbase dikujt i duket e pabesueshme por Hizriu, edhe pse në kushte tejet të rënda të punës këtë sport e donte me shpirt .
Ai me fluturaken e marrë me qira u stolis me medalje të artë në Festivalin e sivjetmë Ndërkombëtar të Aeronautikës në Turqi.
Përvojën e tij të gjatë në pilotim dëshironte ta praktikonte edhe në Forcën e Sigurisë së Republikës së Kosovës, por një gjë e tillë nuk iu mundësua asnjëherë.
Gubetini ishte tepër i kujdesshëm në menaxhimin e ekonomisë familjare . Ai në vitet e 90-ta, pati punuar në Biasca të Zvicrës . Këtu edhe e pati perfeksionuar zanatin në gdhendje dhe dekorim me gurë.
Me të hollat e kursyera nga kjo punë ai pati ndërtuar një shtëpi të bukur në Bardhosh të komunës së Prishtinës.
Me punën nga ky zanat Hizdriu e mbante edhe familjen, sepse në as një rast atij nuk iu ofrua ndonjë vend i punës me orar të plotë në institucionet e Kosovës.
Krahas aeronautikës ai e adhuronte jashtë mase edhe hortikulturën . Në kopshtin e tij përveç zarzavateve dhe pemëve kishte edhe shumëllojshmëri lulesh, që secilin që kalonte atypari e tërhiqte aroma e tyre e këndshme.
Mungesën e njerëzve të vyeshëm e me vlera si Hizdriu, e konceptojmë vetëm atëherë kur vërejmë boshllëkun dhe zbrazëtin që ata lënë pas.
Gubetini që respektohej nga të gjithë sportdashësit e vendit tonë,kishte shokë e miq të shumtë edhe në komunitetin e artistëve të Kosovës .
Ai kureshtjen e tyre shpeshherë e shuante duke fluturuar së bashku me ta, mbi qiellin e hapur të Kosovës dhe Shqipërisë.
Andaj, sot varrezave të vjetra të Podujevës, që gjenden pranë lagjeve Bebushaj dhe Visoka, ua mësynë qindra njerëz, ku i dhanë lamtumirën e fundit kolegut dhe mikut të tyre Hizdri Gubetini.
Hizdriu prej sot do të prehet pranë nënës së tij Nurijes, e cila vdiq vitin që shkoi në luftë me Covid 19-të.
Ai pas vetes ka lënë bashkëshorten Nafijen dhe dy djemtë Almirin 18 dhe Ensarin 14 vjeç .
Me gjithë dhembjen e madhe familja Gubetini nga Llapi, duhet të ndihet përherë krenare me djalin e saj pilot të dalluar dhe njeri me virtyte të lata !
Hizdriu që na bëri kudo krenar si shpërblim nga Perëndia,e pastë parajsën !