Çdo ditë regjistrohet një numër i lartë personash që dalin pozitivë me koronavirus në Lojërat Olimpike dimërore “Pekin 2022”. Gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 16 raste të reja me Covid-19, duke e çuar në 288 në total numrin e personave të infektuar që nga 4 janari.
Të gjitha rastet janë verifikuar në aeroport, në testet e bëra pas mbërritjes së delegacioneve sportive.
Të gjithë personat e infektuar janë vendosur menjëherë në izolim. Sipas organizatoreve, 4.2% e personave të mbërritur në Pekin kanë dalë pozitivë me Covid-19.
Testet anti-Covid janë të përditshme në Fshatin Olimpik, ku janë ngritur struktura të posaçme për personat e infektuar. Olimpiada do të nisë më 4 shkurt, event ku merr pjesë edhe Shqipëria, me skiatorin Denni Xhepa. Ai ka dalë gjithnjë negativ dhe vijon stërvitjen në prag të garës.