Elhami Shabani bëri më të mirën, lartësoi Kosovën në Kontinentin e Vjetër.
Karateisti i Kombëtares së Kosovës, Shabani, sot fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian.Në Gaziantep të Turqisë ngritët Flamuri i Kosovës, në anën tjetër shkëlqente fytyra e Shabanit në podium!
Një luftëtar i madh, premtimin e mbajti, fitoi medaljen e bronztë!
Trimi ynë me një strategji më ndryshe se nga luftërat tjera, i shkaktoi humbje boshnjakut Hamza Turulijan.
Pas medaljes së bronztë në kategorinë deri - 75 kg, Shabani tani feston por me mendje është tek Lojërat Mesdhetare që mbahen në muajin e ardhshëm në Oran të Algjerisë.
Që nga luftërat e para garoi me zgjuarsi, guxim e teknikë të përsosur, duke mos ia lënë rastit në asnjë moment.
Këtë sukses të madh ia dedikon edhe babait të tij, i cili ishte mbështetësi më i madh dhe frymëzim për suksesin.
“Bota sot”: Një ëndërr e realizuar, sa ishte e vështirë sfida për medaljen e bronztë?
Elhami Shabani: Ditën e mërkurë sa isha duke i zhvillu luftërat në repesazh boshnjaku nonstop me ka xhiruar, dhe për këtë arsye sot në finale me është dashtë me e ndërru strategjinë e luftës.
Dhe ka funksionuar qysh është më së miri.
“Bota sot”: Kujt ia dedikoni këtë medalje?
Elhami Shabani: Medaljen ia dedikoj babait tim i cili shume ka sakrifiku për neve, ka pas rast që edhe veten e ka lënë keq që unë të marrë pjesë nëpër gara. Mendoj që sado pak ia kam shpërblye mundin.
“Bota sot”: Cila është sfida e radhës?
Elhami Shabani: Sfida e radhës është Lojërat Mesdhetare, muajin e ardhshëm, e cila do të mbahet në Oran të Algjerisë.
“Bota sot”: Çfarë synoni, medaljen e artë?
Elhami Shabani: Edhe atje shkojmë vetëm për medalje pse jo edhe të artën.
“Bota sot”: Ku do të përgatiteni për Lojërat Mesdhetare?
Elhami Shabani: Tani kur të kthehem në Kosovë do të shoh kohën dhe agjendën për kamp.