Komiteti Olimpik i Kosovës ka vazhduar traditën e shënimit të 5 Qershorit - Ditës Botërore të Sportit dhe Ambientit.
Për shkak të aktiviteteve të Komunës, që pritet të mbahen të dielën, KOK shënoi këtë ditë sot, me aktivitetet e organizuara në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Presidenti i KOK-ut, që bëri hapjen e aktivitetit, inkurajoi fëmijët që të përkujdesen për ruajtjen e mjedisit ku qëndrojmë, stërvitemi dhe zhvillojmë aktivitete sportive, sepse ambienti i pastër ndikon në shëndetin tonë.

I pranishëm ishte edhe ambasadori i Ambasadës së Italisë në Kosovës, Antonello De Riu, i cili bëri thirrje që fëmijët të praktikojnë sa më shumë sportin, si mundësi e mirë për të pasur disiplinë dhe shëndet të mirë.
Aktiviteti, i organizuar nga komisioni “Sporti dhe Mjedisi”, mblodhi dhjetëra fëmijë që praktikuan sportet e futbollit, volejbollit, boksit, pingpongut, karatesë dhe badmintonit.
Presidenti bashkë me ambasadorin De Riu, përfaqësuesit e Komunës, komisionin “Sporti dhe Mjedisi”, që organizuan aktivitetin, drejtues të federatave, dhe mysafirë të tjerë mbollën Pemën Olimpike 2022.
Pjesë e aktivitetit ishin edhe Shkolla e Muzikës “Misbah & Friends”, të cilët performuan me dy pika muzikore.