Sporti në Kosovë ka kaluar në faza të vështira të zhvillimit. Periudha më e vështirë e sporti të Kosovës padyshim ishte ajo e Pavarësimit të sportit të Kosovës nga Serbia gjatë viteve të 90-ta.
Pas vitit 2000 e këndej drejtuesit e sportit në Kosovë, sportistët, trajnerët dhe të tjerët që janë afër sportit frymuan më lirshëm.
U krijuan kushte më të mira për punë dhe u hapën rrugët për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.
Tek ne në Kosovë zhvillohen aktivitete të shumta sportive në shumë degë sporti. Pos futbollit, basketbollit, hendbollit, volejbollit dhe natyrisht xhudos e boksit, karatesë, shumë degë të tjera injorohen apo janë lënë pas dore sa i përket informimit.
Pa marrë parasysh në politikën redaktuese të redaksive sportive, televizionet tona po thuaj në përgjithësi, por edhe rrjetet sociale, pjesën dërmuese të aktiviteteve sportive në sportet e tjera injorohen dhe nuk pasqyrohen për publikun e gjerë.
Shtytje për këtë shkrim ishte një kronikë shahu e emetuar në njërën nga televizionet tona me pensionistë të cilët luajnë këtë lojë në parqet tona. Nuk ka asgjë e keqe që është bërë kjo kronikë, sikur mos të injorohej Turneu Ndërkombëtar i Shahut "Prishtina 2022" që tash një javë po mbahet në Hotelin Grand Prishtina.
Në këtë turne po marrin pjesë 60 shahistë nga 5 shtete, prej tyre Kryemjeshtër, Mjeshtër Ndërkombëtar, Mjeshtër FIDE dhe të tjerë.
Sot/e mërkurë/ është dita e pestë dhe zhvillohet xhiroja e parafundit dhe në kreun e renditjes gjenden 3 shahistë nga Kosova.
Asnjë nga televizionet tona nuk e pa të rrugës ta vizitoj këtë turne dhe së paku t'ia kushtoj një kronikë 2 apo 3 minuta.
Urojmë kolegëve të sportit pushime të këndshme dhe ndoshta do të kthjellët pak dhe këto vërejtje t’i marrin me dashamirësi.