Federata konfirmon zgjidhjen e problemit

Sporti

Federata konfirmon zgjidhjen e problemit

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 23:35
Briken Calja

Vonesa në shlyerjen financiare të peshëngritësit Briken Calja për medaljet e marra në Kampionatin Botëror ka qenë një temë shumë e nxehtë gjatë ditëve të fundit.

Pas denoncimit nga “Panorama Sport” se sportisti nuk i kishte marrë paratë që i takojnë sipas ligjit, erdhi fillimisht reagimi i ministres Evis Kushi, e cila njoftoi se Ministria e Arsimit dhe Sportit i kishte bërë procedurat, duke ia kaluar sportistit paratë nëpërmjet federatës, ndërsa i bëri apel kësaj të fundit që t’i mbyllte të gjitha detyrimet. Më tej u prononcua edhe Elez Gjoza, i cili u shpreh për gazetën se vonesat kishin ardhur për shkak të ngarkesës me aktivitete të shumta për FSHP-në dhe procedurave për dokumentacionin.

Kreu i shtangës bëri të ditur se të martën (dje) do të vinte edhe mbyllja përfundimtare e likuidimit nga ana e federatës në drejtim të sportistit. Gazeta ka kontaktuar sërish me Gjozën, i cili konfirmoi se dje federata ka përfunduar çdo procedurë ligjore për sa i përket shpërblimit të Caljes. Këtë gjë e pohoi edhe vetë shtangisti, i cili gjithashtu konfirmoi se është njoftuar nga federata për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Kujtojmë se Briken Calja në dhjetor të vitit të kaluar shkroi historinë e sportit shqiptar, duke fituar titullin kampion bote në stilin e shkëputjes, ndërsa u shpall nënkampion në shtytje dhe dygarësh në Botërorin e zhvilluar në Uzbekistan. Për këto rezultate, Caljes i takojnë 178 milionë lekë të vjetër.

Ndërsa trajneri i tij, Gerald Toska, sipas ligjit, përfiton 40% të kësaj shume, pra 71 milionë e 200 mijë lekë të vjetër. Kujtojmë se disa muaj më parë, qeveria mori një vendim shumë të rëndësishëm për peshëngritjen, duke e shpërblyer atë sipas rregulloreve ndërkombëtare, pra në çdo stil dhe jo më vetëm në dygarësh siç ka qenë në të shkuarën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat