Nuk është as luksi e as koha që të lavdërohen, është koha t’i përvjelin mëngët dhe t’i grahin punës në rritjen e cilësisë.
Është koha që sportet me dorë dhe sportet luftarake, të punojnë, të rrisin nivelin e sportit!
Federata e Hendbollit e Kosovës, edhe pse vonë por e ka kuptuar se duhet shumë punë me gjeneratat e reja, këtë e kuptuan në Letoni. Më mirë vonë që e kuptuan se kurrë!
Federata e Volejbollit e Kosovës, sa më larg lavdeve por të përqendrohet në strategji zhvillimore sepse volejbolli nuk është në rritje por në krizë të rezultateve, po flasim për konkurrencën e seniorëve.
Volejbolli mos të mburret me suksesin në beachvolley-t, nënkampione të Ballkanit me tri shtete në konkurrencën e femrave.
FVK, le ta sqarojë opinionin në tërësi, pasi që janë aq shumë të suksesshëm me beachvolley, pse nuk garojnë në Kampionatin Evropian e Botëror, që të gëzojnë shtetin me rezultate!
Pse nuk garojnë në gara të nivelit më të lartë, pse turren veç në ballkanik?
Federata e Boksit e Kosovës, ta ulin kokën dhe të punojnë, kanë pak shumë pak boksierë dhe janë në krizë të thellë.
Medalja e bronztë në Kampionatin Botëror e boksieres Donjeta Sadikut dhe Shpëtim Bajokut në Lojërat Mesdhetare, i nxori me fytyrë! Boksi, pra federata mos vetëkënaqet e mos të fluturojnë para kohe, mos të vetmashtrohen sepse kanë pak shumë pak boksierë që i duhet për të shkuar diku!
Federata e Notit e Kosovës, e di se me not për të arritur diçka në evropian e botëror, është një ëndërr e fikur, por të paktën mos të lavdërohen se thyen rekordin e Kosovës.
Mundja është në krizë të rëndë të rezultateve, pa suksese dhe ata të paktën janë deklaruar në vetvete, se pandemisë ia kanë pa sherrin dhe fundja nuk po merren me lavde!
Federata e Karatesë e Kosovës nuk është mirë me rezultate, ndërsa si federatë duhet të ketë një strategji të qartë, të fokusohen në garuesit kulmorë, të heqin dorë nga shkuarja në garat e ndryshme me një autobus garues dhe të kthehen duarthatë!
Klubet e basketbollit të derdhin mjete financiare në investim në talentet e rinj, ndryshe nuk ka të ardhme ky sport vetëm në investime me shifra të larta për Kosovë në lojtarë të huaj që nuk të kryen punë në ndeshjet ndërkombëtare sepse ky është dështim dhe jo mburrje!
Atletika ka probleme me infrastrukturë, nuk ka stadium të atletikës dhe kjo i penalizon të gjitha klubet.
Pingpongu dhe çiklizmi kanë mbet në vend si shumë sporte tjera individuale.
Komiteti Olimpik i Kosovës, të shtrojë këtë temë dhe mos të bjerë në lavde të panevojshme por të kërkojë në imtësi çdo rezultat dhe të ketë të qartë, ku morën pjesë, cilat gara, parakualifikuese apo kualifikuese, mos të bien në lajthitje.
Vetëm xhudo është sporti që i ka prurë të gjitha medaljet e mundshme nga garat të nivelit më të lartë ndërkombëtarë, tri medalje të arta olimpike. 23 vjet pas lufte, sportet nuk mund të justifikohen se me rëndësi është pjesëmarrja por të synojnë maksimumin