Palestra e sporteve “BIll Clinton” në Ferizaj, ende pa dritare dhe për turp! Ka muaj që ka filluar rinovimi, por siç thonë edhe brenda palestrës së sporteve: “Rinovimi po shkon me hapa të breshkës”.
Ku është komuna e Ferizajt? Ku janë kompetentët e kuvendit komunal? Ku është drejtori i palestrës së sporteve “Bill Clinton”? Ku është drejtoria për sport në komunën e Ferizajt?
Mbrëmë është zhvilluar ballafaqimi mes Kastriotit të Ferizajt dhe Vëllaznimit të Gjakovës, ndeshje e vlefshme e Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt), ndërsa palestra ende pa dritare, ky është kulmi i turpit.
Palestra pa dritare
Drejtuesit e KH Kastriotit me drejtorin Ekrem Beqa, janë të tronditur nga ndeshja e mbrëmshme sepse të luhet një ndeshje në ato rrethana, me një palestër pa dritare e ku ftohti futej nga jashtë, është e pakuptueshme. Ku janë kompetentet që ia dhanë tenderin për rinovimin e palestrës.
“U bë tepër! Jemi në fund të muajit tetor, ndërsa palestra është pa dritare. Kompentent e komunës duhet të jenë më syçelë dhe të vijnë e të shikojnë se çfarë po ngjan me palestër. U mërdhinë hendbollistët, veç një ditë kur t’i çojmë edhe në spital!
Kjo nuk është në rregull por duket se e kanë lënë në asgjë këtë punë dhe sportistët, klubet po e paguajnë shtrenjtë. Ka muaj që palestra është pa dritare, paramendo nuk janë në gjendje t’i rregullojnë ato.
Nuk e di, a janë në gjumë ata që e kanë për detyrë këtë punë dhe po me habit edhe neglizhenca e zyrtarëve të komunës, sidomos ata që janë përgjegjës për këtë punë, të cilët ia dhanë tenderin punëkryerësit për rinovimin e palestrës së sporteve”, thotë Beqa për gazetën kombëtare “Bota sot”.