​Kurti flet për sukseset e Ballkanit, xhudos dhe boksit në arenën ndërkombëtare

Sporti

​Kurti flet për sukseset e Ballkanit, xhudos dhe boksit në arenën ndërkombëtare

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 17:13
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka folur për sukseset e Kosovës të arritura në sport gjatë këtij viti për të cilat ka thënë se se u arritën suksese historike në sporte si futboll, xhudo, boks dhe lojëra elektronike.

Për xhudon, Kurti tha se është sporti që premton se do të korrë suksese të shumta edhe ne të ardhmen dhe se për ta mbështetur këtë sport, tashmë qeveria ka ndarë 12 milionë euro për programin “Kosova shtete i xhudos” që synon mbështetje institucionale për këtë sport.

“Përveçse në art dhe në kulturë, tetori na ishte një muaj i shënuar edhe në sport, sidomos në arenën ndërkombëtare. Boksierja Donjeta Sadiku mori medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian në Budva. Nora Gjakova fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e xhudos, që u mbajt në Abu Dhabi. Ndërkaq, xhudistja Loriana Kuka e mori medaljen e bronztë. Kurse, Laurina Gashi, me medaljen e saj të artë në Kupën Evropiane për Kadete, na premtoi se e ardhmja e vendit tonë në xhudo është po aq e ndritur sa e tashmja, me të cilën tashmë jemi mësuar. Kjo na bënë edhe më të lumtur që në fund të muajit të kaluar në Qeveri miratuam programin 12 milionësh, “Kosova, shtet i xhudos”, që synim ka mbështetjen institucionale për këtë sport dhe masivizim e tij.”, tha Kurti.

Më tutje, Kurti foli edhe për suksesin në futboll të arritura nga Ballkani në Ligën e Konferencës si dhe ato në sportet elektronike

“Suksese e histori u shënuan edhe në sporte tjera. Ballkani i Suharekës na dha shijen e fitores së parë të një ekipi nga Kosova në garën e futbollit ndërkombëtar, UEFA Conference League. Ndërkaq, përmes kualifikimeve të njëpasnjëshme në tournamente të mëdha ndërkombëtare, suksese po shënohen edhe në sportet elektronike.”, shtoi ai.

Në fund, i pari i ekzekutivit tha se zhvillimet politike në vend ndonjëherë bëjnë që të humbet vëmendja nga këto rezultate në sport, por ka siguruar se të rinjtë e vendit janë gjithmonë në mendjen e politikbërjes së kësaj qeverie.

“Duket se nganjëherë preokupimi me zhvillimet politike në vend na bënë që të humbet vëmendja nga rezultatet e të rinjve tanë, por qeveria jonë i mbanë ata gjithmonë në mendje, kurse në politikbërjen tonë, në qendër.”Jemi përgjegjës dhe të përgjegjshëm, prandaj interesi ynë i lartë shtetëror është që të jemi krah tyre drejt realizimit të potencialit të tyre.”, tha në fund Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat