Zëvendësministrja e Ministrisë Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Daulina Osmani, ka konfirmuar licencimin e dy federatave.
Është fjala për Federatën e Xhudos së Kosovës dje Federatën e Hendbollit të Kosovës.
“Dje licencuam dy federata sportive.
Me rekomandim të Komisionit për licencimin e federatave sportive, Ministri Hajrulla Çeku dorëzoi licencat për zhvillimin e veprimtarisë sportive për Federatën e Xhudos së Kosovës dhe Federatën e Hendbollit të Kosovës, me afat të vlefshmërisë deri në fund të vitit 2024.
Shumë suksese të dyja federatave në promovimin, masivizimin dhe rezultatet sportive.
Deri më tani, MKRS ka licencuar 3 federata sportive, ndërsa aktualisht në procedurë të vlerësimit janë edhe 11 federata tjera. Licencimi është një nga proceset më të rëndësishme që është duke u zhvilluar, i cili ka për qëllim fuqizimin e integritetit sportiv përmes zbatimit të standardeve të qeverisjes së mirë në sport. Në vazhdim priten edhe aplikimet e federatave të tjera sportive.
Përgëzime dhe faleminderit të gjitha federatave tona dhe Komisionit për licencim në kuadër të MKRS-së për angazhimin dhe punën e bërë në këtë proces”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në facebook.