Vilëza Zeqiri është talentja e madhe e gjimnastikës së Kosovës.
Vitin që e lamë pas ka arritur rezultate të lakmueshme qoftë në garat vendore qoftë në ato ndërkombëtare.
Drejtoria për Sport e komunës së Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Granit Rugova, ditë më parë, ka përzgjedhur laureatët e vitit 2022.
Një prej sportisteve “Shpresë e vitit 2022” është zgjedhur Vilëza Zeqiri, gjimnaste e Klubit të Gjimnastikës “Elita” e Prishtinës, ka njoftuar Klubi “Elita” në faqen e vet zyrtare.
“Elita”, që udhëhiqet nga trajnerët Shkumbin Maqastena dhe Abeliana Bregu, ka renditur edhe sukseset dhe aktivitetet e gjimnastes së tyre në garat vendore dhe ndërkombëtare.
Po ashtu gjimnastja e “Elitës” Vilëza Zeqiri, me propozim të Federatës së Gjimnastikës së Kosovës, është përzgjedhur ‘Shpresë e vitit 2022’, edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ku do të mbështet financiarisht për një vit me nga 150 euro në muaj.
“Ndër aktivitetet e Vilëzës gjatë 2022 janë: EYOF (European Youth Olympic Festival) përfaqësuese e Kosovës, përzgjedhur nga FGJK dhe KOK,
Kampionati Ballkanik; Gaia It 2022; Gymfinity International 2022, medaliste; e artë dhe dy të bronzta; kampione e Kosovës 2022, kategoria juniore; bursiste e Komunës së Prishtinës.
Për mbështetjen e vazhdueshme, që i bëhen sportisteve tona, falënderojmë shumë Drejtorinë për Sport, Komuna Prishtinë, Federatën e Gjimnastikës e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera që janë krahu kryesor drejt rrugës së suksesit”, thuhet në faqen e klubit.