Shqipëria ka regjistruar rezultate të mëdha në Kampionatin Europian të “Fitness & Bodybuilding”, aktivitet i mbajtur në Santa Susana të Spanjës.
Një eveniment i rëndësishëm me pjesëmarrje masive prej rreth 1000 sportistësh nga 34 shtete të ndryshme të kontinentit të vjetër.
Kombëtarja kuqezi ka arritur që të fitojë plot 4 medalje: 3 medalje ari dhe 1 argjendi, ndërsa ka regjistruar gjithashtu edhe një vend të katërt, tri vende të pesta dhe një vend të gjashtë.
Dy medalja të arta mbajnë firmën e Gentiana Beqës, e cila u shpall kampione e Europës në kategorinë “Senior Wellness Fitness 164 cm” dhe kampione absolute në kategorinë “Over All”.
Paraqitje fantastike nga Beqa, e cila vijon të shënojë rezultate të mëdha për Shqipërinë në eventet më prestigjioze ndërkombëtare të këtij sporti.
Medalje të artë fitoi edhe Marjan Hoxhaj, i cili u shpall kampion në kategorinë e fitnesit “Men’s Physique Junior 16-20 years”.
Në këtë aktivitet shkëlqeu gjithashtu edhe Edmond Met’hasani, i cili fitoi medalje argjendi si nënkampion i Europës në kategorinë “Senior Men’s Classic Physique -180 cm”. Ndërkohë për sa u përket sportistëve të tjerë, Irdi Kashari është renditur i katërti.
Vendi i pestë ishte për sportistët Ramazan Qela, Bruno Nuho dhe Klea Ahmetli, ndërsa vendi i gjashtë për Jurgen Veizin. Kombëtarja shqiptare u paraqit në Kampionatin Europian me tetë sportistë, të cilët ishin fitues të vendeve të para në Kupën e Shqipërisë, aktivitet që u zhvillua gjatë muajit prill në Kamzë.