Ish kryesuesi i komisionit të trajnerëve të karatesë së Kosovës, Raif Musa, kërkon dorëheqjen e lidershipit të Federatës së Karatesë së Kosovës.
Ai përmes një letre të hapur ka treguar edhe shkaqet pse e kërkon e tyre.
“Dorëheqja!
Lidershipi ose udhëheqja është proces i ndikimit të një individi mbi një grup të caktuar njerëzish, në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.
Me këtë nënkuptohet krijimi i raporteve reciproke mes liderit dhe grupit duke ndikuar realizimin e synimeve të një organizate nëpërmjet veprimeve të përbashkëta.
Për një organizatë, lidershipi është shumë i rëndësishëm kur vjen puna tek procesi i organizimit dhe menaxhimit të situatave, zhvillimit apo mbarëvajtjes së punës në atë organizatë.
Një lider duhet të jetë vizionar, të ketë për vizion arritjen e qëllimeve të përbashkëta por edhe të jetë i hapur ndaj pasuesve të tij, të pranojë pikëpamjet e tjerëve, të jetë i përqendruar, i besueshëm, transparent, frymëzues, pasionant me integritet, i durueshëm, fleksibël dhe non stop të ofroj risi për qëllimet e përbashkëta.
E jo kurrsesi të jetë përçarësi, përjashtues, injorues i anëtarëve të vet që shfaqin vizionet dhe mënyrat e tyre për realizimin e qëllimeve të përbashkëta.
Ne kemi ngecur, po po kemi ngecur edhe shumë bile!
Prandaj vetëm dorëheqja si akt moral e arsyeton sado pak dështimin!”, ka shkruar Musa në profilin e tij në facebook.