Reprezentuesi i Shqipërisë, Alvin Karaqi (-84 kg), është fitues i medaljes së artë në Lojërat Evropiane, që po mbahen në Krakow të Polonisë.
Karateisti Karaqi ka treguar formë të jashtëzakonshme duke lartësuar flamurin e shtetit shqiptar.
Trajneri i tij, Fehmi Mahalla, tha se Karaqi i ka zbatuar detyrat me përpikëri dhe kjo ka rezultuar edhe në suksesin e madh.
Karaqi, i pari
Mahalla ka qenë i bindur se Karaqi nuk do të kthehet pa medalje, duke i thënë Karaqit se nëse shkon në finale, të artën e ke të garantuar.
“Ka pas përgatitje dhe gjatë rrugës i kam thënë Karaqit se për vend tretë je i sigurt, po e dua vendin e parë ose të dytë.
Për vend të tretë kam qenë i sigurt, e ka kapacitetin, është garues që arrin mu rreh me çdo garues”, ka deklaruar nga Krakowa Fehmi Mahalla për gazetën kombëtare “:Bota sot”.
Kampioni i Evropës në vitin 2004, Fehmi Mahalla, tregon një detaj interesant, duke thënë se pasi që Karaqi fitoi ndaj italianit Michele Martina, kampion aktual i Evropës, do të fitojë të artën.
Në finale Karaqi e mposhti holandezin Brian Timmermans.
“Për vend të tretë e dija, veç e doja të parin. Isha i bindur sepse në gjysmëfinale e mundi bindshëm kampionin aktual evropian aktual, italianin. Karaqi fitoi shumë pikë e me mençuri, 3:0. Fitoi pa kurrfarë problemi, edhe i thash njëri aty të mbajë afër Flamurin, se isha i sigurt për fitore”, tha më tej.
Mahalla thotë se Karaqi ka kapacitet edhe për të fituar Kampionatin Evropian dhe Botëror: “Karaqi i ka mundur këta që janë në Evropë, janë të nivelit botëror, pa kurrfarë problemi dhe këtë e ka dëshmuar sot. Gëzim i madh, sukses i madh.
Kur bashkëpunojnë trajneri me nxënës dhe pa hile, vjen fitorja dhe suksesi”.