Karateja është në një situatë të pazakontë.
Është mbajtur Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor dhe është zgjedhur kryetar i ri Besart Baruti e në anën tjetër është shkarkuar Avni Gashi.
Megjithatë Avni Gashi e quan të pavlefshëm kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor.
“Të dashur karateistë/e, trajner/e, sportdashës dhe ju publik i nderuar, ju njoftoj se është ftuar një "kuvend i jashtëzakonshëm zgjedhor" nga tanimë ish-sekretari i FKK-së z. Nazmi Gashi në kundërshtim me statutin dhe po ashtu ka rezultuar me shkelje statutare të shumta andaj si i tillë është I PAVLEFSHËM me gjithë "të dalurat" e veta.
Bordi i Federata e Karatesë e Kosovës sot ka ftuar mbledhje urgjente për ta trajtuar puçin e sotëm si dhe procedurat e mëtejme.
Kërkoj qetësinë tuaj si dhe fokusin tek stërvitjet/garimet.
Vazhdojmë drejt sukseseve me punë të ndershme e transparencë”, bëhet e ditur në faqen zyrtare të FKK-së, nga Avni Gashi, që thotë se është ende kryetar i Federatës së karatesë së Kosovës.